Lidhje

Raketa e Koresë së Veriut bie në ujërat japoneze


Zyrtarët e Koresë së Jugut njoftuan se Korea e Veriut ka lëshuar sot një raketë balistike drejt oqeanit nga bregu lindor i saj. Ky është testi më i fundit i një sërë provash lëshimi raketash nga Korea e Veriut. Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Korenë e Veriut se janë të gatshme të mbrojnë veten dhe aleatët.

“Korea e Veriut demonstroi aftësitë e saj për lëshimin e raketave. Mendoj se qëllimi është përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet dy Koreve dhe përçarja e opinionit të komunitetit ndërkombëtar”, tha Jeong Joo Hee, zëdhënës i Koresë së Jugut.

Ushtria amerikane pikasi dy lëshime të ndryshme raketash, ndër të cilat njëra ishte e suksesshme, ndërsa tjetra shpërtheu menjëherë pas lëshimit.

Zyrtarët thonë se raketa, e cila mendohet se është e tipit “Rodon” me rreze të mesme, u lëshua pak para orës 8 të mëngjesit të sotshëm nga provinca Hwanghae dhe fluturoi për gati 1 mijë kilometra përpara se të binte pranë ujërave japoneze.

Kryeministri japonez Shinzo Abe dënoi lëshimin e raketës nga Korea e Veriut gjatë një konference për shtyp në Tokio pak orë më vonë.

“Është një kërcënim i konsiderueshëm për sigurinë tonë kombëtare fakti që raketa e Koresë së Veriut ra në zonën ekonomike detare të Japonisë. Protestoj me forcë kundër këtij veprimi të pafalshëm të Koresë së Veriut që është në shkelje të hapur të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Japonia do ta trajtojë këtë çështje me vendosmëri, në bashkëpunim me SHBA-në dhe Korenë e Jugut”.

Shtetet e Bashkuara reaguan menjëherë sot duke e paralajmëruar Korenë e Veriut, se SHBA është e gatshme të mbrojë veten dhe aleatët ndaj çdo lloj provokimi.

Kjo është raketa e katërt e lëshuar brenda dy javëve. Të gjitha këto lëshime raketash shkelin rezolutën e OKB-së që i ndalon Pyongyang-ut të zhvillojë raketa balistike.

Korea e Veriut po përpiqet të zhvillojë një raketë të rrezes së largët që do të mundet të arrijë territorin e Shteteve të Bashkuara. Por, zyrtarët e Koresë së Jugut thonë se Pyongyang-u nuk ka ende teknologjinë për një raketë të tillë.

XS
SM
MD
LG