Lidhje

Pasojat e mundshme të provës së fundit me raketë të Phenianit


Koreja e Veriut publikoi të enjten video të udhëheqësit Kim Jong Un, duke parë provën e fundit me raketën balistike ndërkontinentale.

Raketa Hwasong-15 u lëshua nga qendra e provave me rakta në veri të kryeqytetit koreanoverior, Phenian. Raketa fluturoi deri në lartësinë 4 mijë e 500 kilometra, rreth 10 herë më lart se sa Orbita e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Ajo përshkoi një distancë prej 1 mijë kilometrash para se të binte mbi oqean, në zonën ekonomike ekskluzive të Japonisë në lindje të gadishullit korean.

Kim Jong Un deklaroi se hedhja e raketës ishte e suksesshme, duke mburrur regjimin e tij, që “më në fund ka realizuar çështjen historike të plotësimit të forcës bërthamore”. Shkencëtarët thonë se raketa Hwasong-15 ka potencialin të arrijë deri në brendësi të Shteteve të Bashkuara, por shtoi se një raketë e tillë nuk është e aftë të mbajë mbushje bërthamore, për shkak të peshës së rëndë.

Edhe analistët nuk janë të bindur se Koreja e Veriut zotëron teknologji të mjaftueshme, që raketat e saj të mund ta përballojnë rihyrjen e vështirë në atmosferën e Tokës.

Megjithë këto dyshime ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley paralajmëroi të mërkurën në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se prova e fundit nga Koreja e Veriut “e çon botën më pranë luftës, në vend që ta largojë atë.” “Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë luftë me Korenë e Veriut, madje as sot nuk e kërkojmë atë”, tha zonja Haley. Por ajo paralajmëroi që në se do të kishte luftë, ajo do të ndodhte pikërisht për shkak të veprimeve të vazhdueshme të agresionit, siç është hedhja e raketave.”

“Dhe në se do të kishje luftë, - tha ajo, - regjimi i Koresë së Veriut do të shkatërrohej plotësisht.”

Zonja Haley i bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së t’i presin lidhjet diplomatike me Penianin dhe t’i kufizojnë ato ushtarake, shkencore, teknike, si dhe bashkëpunimin tregtar.”

Ambasadorja Haley tha se Presidenti Donald Trump i kishte thënë të mërkurën në një bisedë telefonike homologut të tij kinez, Xi Jinping, se ka ardhur koha që Pekini t’i ndërpresë eksportet e naftës në Korenë e Veriut.

Priten sanksione të reja

Në një tweet që bëri të mërkurën, Presidenti Trump u zotua se do të vendosë sanksione të reja të njëanshme ndaj vendit të papërgjegjshëm aziatik.

“Do të bëjmë gjithshka mundemi për të ushtruar presion maksimal ndaj Koresë së Veriut”, - ju përgjigj Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, pyetjes së Zërit të Amerikës, në se adminsitrata amerikane beson se sankionet e reja kanë për të qenë të efektshme.

Reagimi i ligjvënësve amerikanë

Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, anëtar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, duke theksuar se Koreja e Veritu ka për të patur shumë shpejt aftësinë për të hedhur armë bërthamore në brigjet amerikane, shtoi se i ka kaluar koha strategjive diplomatike të administratës ndaj çështjes së Koresë së Veriut.

Komente të ngjashme bëri edhe kongresmeni tjetër demokrat, Eliot Engel, Kryetari Demokrat i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë se Presidenti bëri paralajmërimin e tretë ndaj sfidës bërthamore të Penianit, por deri tani ai ka dështuar me strategjinë e tij ndaj Koresë së Veriut”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG