Lidhje

Pheniani provë e re me raketë balistike ndërkontinetale


Pentagoni njoftoi se Koreja e Veriut kreu të premten një provë tjetër me raketë balistike ndërkontinentale, e dyta brenda pak javësh. Raketa ra në ujrat e Detit të Japonisë.

"Zbuluam dhe ndoqëm raketën e Koresë së Veriut. Vlerësojmë se ishte një raketë balistike ndërkontinentale dhe kjo ishte diçka që pritej" u tha gazetarëve Jeffrey Davis, zëdhënësi i Pentagonit.

Sipas tij raketa ishte nisur nga një fabrikë armësh në Mupyong, në veri të vendit. Ai tha se raketa fluturoi "më shumë se 40 minuta" dhe përshkroi rreth 1 mijë kilometra përpara të binte në Detin e Japonisë, rreth 163 kilometra nga Hakkaido, ishulli i dytë më i madh i Japonisë.

Kryeministri Shinzo Abbe tha se raketa mund të ketë rënë në ujrat zonës eskluzive ekonomike të Japonisë. Ai thirri një takim urgjent të kabinetit për t'iu përgjigjur veprimit të Phenianit.

Zëdhënësi i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara mbeten "të angazhuara si kurrë më parë për mbrojtjen e aleatëve, veçanërisht të Republikës së Koresë dhe të Japonisë, përballë këtyre kërcënimeve". Ai shtoi se raketa nuk përbënte ndonjë kërcënim për Amerikën e Veriut.

Koreja e Veriut ka kryer disa prova me raketa balistike gjatë dy viteve të fundit. Më herët gjatë këtij muaji, Pheniani nisi një raketë balistike ndërkontinentale për herë të parë. Raketa fluturoi për 39 minuta para se të binte në Detin e Japonisë. Ekspertët thanë se raketa mund të mbrrinte deri në shtetin amerikan të Alaskës.

"Koreja e Veriut po shkon ngadalë drejt një fuqie bërthamore dhe të raketave, përpara syve tanë" thotë Harry Kazianis, drejtor i studimeve të mbrojtjes në Qendrën për Interesat Kombëtare.

Gjatë një dëshmie në kongres të enjten, ndihmës sekretarja e përkohshme e shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit Susan Thornton, tha se Koreja e Veriut përbën "kërcënimin më urgjent dhe më të rrezikshëm".

"Po punojmë për ta izoluar dhe rritur presionin mbi Korenë e Veriut me qëllimin për të bindur regjimin t’i kthehet bisedimeve serioze që synojnë çnuklearizmin. Ky ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor diplomatik i kësaj administrate", tha zonja Thornton.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG