Lidhje

Bisedime mes dy Koreve


Zyrtarët e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut zhvilluan sot bisedime përgatitore në funksion të takimit të udhëheqësve të dy vendeve, planifikuar të mbahet në 27 prill, në një përpjekje globale për të zgjidhur tensionet lidhur me programin bërthamor të Phenianit.

Gjatë takimit të sotëm në fshatin kufitar Panmunjom u diskutuan çështje të sigurisë, protokollit dhe mbulimit mediatik të takimit të nivelit të lartë. Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, njoftoi se palët ranë dakord të mos publikojnë përmbajtjen e diskutimeve, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Një tjetër takim përgatitor do të përpunojë detajet se si udhëheqësi i Phenianit Kim do të mbrrijë në vendin e takimit. Në media ka patur spekulime se Kim do të kalojë vijën e demarkacionit ushtarak që ndan dy Koretë në këmbë, një gjest simbolik.

Zyrtarët e dy Koreve duhet të përcaktojnë gjithashtu se sa herë ai dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in do të takohen atë ditë dhe nëse pjesë të takimeve do të transmetohen drejtpërdrejtë në televizion.

Të dy vendet ranë dakord mbi një datë për takimin e dy udhëheqësve javën e kaluar. Zyrtarët në Seul kanë thënë se takimi do të përqëndrohet në çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut edhe pse Pheniani nuk e ka konfirmuar këtë nëpërmjet mediave të saj shtetërore.

Ndërkohë rreth fundit të majit pritet një takim mes udhëheqësit të Phenianit Kim dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Dy Koretë kanë zhvilluar vetëm dy takime të nivelit të lartë që nga Lufta e Koresë në vitet 1950-53.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG