Lidhje

Pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut


Një dalje e ulët e votuesve është regjistruar të dielën në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut. Nga 91,35 përqind e fletëvotimeve të numëruara deri në orën 18.30 rezulton të kenë dalë 39,71 përqind e votuesve në këto zgjedhje. Në komunat e banuara me shumicë shqiptare sidomos është shënuar dalje më e ulët e votuesve, në dallim nga vendbanimet maqedonase.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Presidenti zgjidhet me vota popullore, ndërsa komptenencat që ka janë të kufizuara dhe kryesisht ceremoniale. Një garuesi për të fituar zgjedhjet qysh në raundin e parë i nevojiten gjysmat e 1 milion e 808 mijë votave.

Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate, i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar, Blerim Reka i mbështetur nga partitë shqiptare të opozitës Aleanca dhe Lëvizja Besa, si dhe Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së janë tre garuesit të cilët synojnë presidencën.

Lidhja Social Demokrate, partia më e madhe qeveritare e cilësoi procesin si një model “skandinav i zgjedhjeve”. Procesi u vëzhgua nga rreth 3100 pjesëtarë të organizatave vendore dhe 419 vëzhgues të huaj, prej tyre më së shumti nga OSBE-ODIHR, ndërkohë që Ambasada amerikane pati 42 vëzhgues.

Kandidatja Siljanovska e VMRO-së tha se “koha e grave po vjen, se pranvera është koha e duhur për fitore” dhe ajo nuk i fsheh shpresat për ta fituar garën. Ajo tha se nëse nuk kalon në balotazh do ta votojë Berim Rekën. Por, analistët e shikojnë këtë qasje të saj si një lloj vardisjeje për të fituar votat e shqiptarëve.

Zoti Reka tha se shpresonte që kjo ditë të jetë një paralajmërim për një faqe të re për historinë e Maqedonisë së Veriut në raport me BE-në. “Shpresoj dhe jam i bindur se këto zgjedhje do të jenë demokratike, të drejta dhe të lira dhe me këtë do të dëshmojmë se jemi të përgatitur për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, theksoi z. Reka.

“Bëhet fjalë për koncepte diametralisht të kundërta. Ajo çfarë mbështes unë e largoi shtetin tonë nga llumi ballkanik dhe izolimi, ndërsa tjetri (duke aluduar në atë të z.Siljanovska dhe partisë së saj VMRO) ofron një politikë nacionaliste që do të sjellë tensione të reja në marrëdhëniet ndëretnike, të cilat paraqesin aksin e qëndrueshmërisë së vendit tonë”, u shpreh z. Pendarovski.

Dy kandidatët me më tepër vota kalojnë në balotazhin e 5 majit. Dhe në mënyrë që zgjedhjet të jenë të vlefshme në balotazh duhen të marrin pjesë 40 përqind e votuesve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka gjasa që rreth mesnatës të njoftojë rezultatet e para, ndërkohë që vetë shtabet e partive apo të kandidatëve zakonisht pak orë pas mbylljes së kutive të votimit dalin me rezultatet e tyre, të cilat nuk dallojnë dhe aq shumë nga ato të KSHZ-së.

Ndërkaq, në komunat Ohër, Dibër e Madhe dhe Novosellë u zhvilluan zgjedhjet vendore, për kryetarë komunash.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG