Lidhje

Maqedonia e Veriut voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare


Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dhjetat që nga pavarësia dhe të pestat të parakohshme. 1 milion e 814 mijë e 613 qytetarë kanë të drejtë vote.

Shteti me dy milionë banorë, nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë që nga viti 2002 dhe vlerësohet se rreth 400 mijë shtetas të jenë shpërngulur në dhjetë vjetët e fundit drejt Perëndimit, sipas Bankës Botërore.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se mbahen në kohë pandemie ndërsa nuk kalon ditë pa viktima e dhjetëra të diagnostikuar me koronavirus në këtë vend. Protokolli në qendrat e votimit kërkon mbajtjen e maskës dhe distancën. Maska duhet të hiqet për pak sekonda deri sa anëtarët e komisionit ta vërtetojnë identitetin e votuesit.

Zgjedhjet në Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

15 parti politike dhe koalicione me 1.578 kandidatë garojnë për 120 vende në parlament. Sipas statistikave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 43 për qind e kandidatëve janë gra, që i bie se çdo i treti kandidat në listë duhet të jetë grua, sipas Kodit zgjedhor.

Maqedonia e Veriut ndahet në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament. Drejtuesit politikë shqiptarë kandidojnë në zonën e gjashtë, që përfshinë Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Kërçovës e të Dibrës. Por, interesi i votuesve në këtë zonë nuk ka qenë aq i lartë sa në zonat tjera, sidomos ato në lindje të vendit në dy-tre ciklet e fundit zgjedhore.

Në përbërjen e fundit të parlamentit, të gjitha partitë shqiptare së bashku kishin 20 deputetë dhe dy të tjerë nga radhët e Lidhjes Social Demokrate, e cila fitoi dhjetëra mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 2016-ës. Përveç partive Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilat dalin në koalicion të përbashkët, të tjerat garojnë veç e veç, teksa Lëvizja Besa është bërë pjesë e koalicionit me Lidhjen Social Demokrate maqedonase që përmbledh brenda vetes rreth njëzet parti të vogla e entitete politike.

Zgjedhjet e parakohshme fillimisht ishin caktuar për 12 prill, por për shkak të pandemisë ato u shtynë për një kohë më të mirë, duke shpresuar se muajt e verës do të jenë më të sigurt dhe virusi do të dobësohej. Vendi ka ngelur pa parlament që nga muaji shkurt dhe nga janari është në detyrë një qeveri teknike, në bazë të një rregulli të përcaktuar nga ajo që njihet si “Marrëveshja e Përzhinës”, e cila parashikon që tre muaj para zgjedhjeve të largohet kryeministri për t'i lënë vendin një drejtuesi tjetër, zakonisht nga e njëjta parti dhe dy vende ministrash e po aq zëvendës-ministra i lihen opozitës. Por, kjo qeveri nuk ka kompetenca të plota.

Procesi i zgjedhjeve do të vëzhgohet nga 98 përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues të tjerë të organizatave joqeveritare vendase. Për shkak të rrethanave të pandemisë, qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 21, dy orë më gjatë se zakonisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG