Lidhje

Gjermania, Brazili: Projekt-rezolutë për përgjimet amerikane


Gjermania dhe Brazili thonë se po punojnë për një projekt-rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të garantonte privatësinë e njerëzve në komunikimet elektronike. Përpjekja e tyre vjen ndëkohë që shefat e shërbimeve gjermane të zbulimit po përgatiten të vijnë në Uashington për t'u takuar me zyrtarë të qeverisë në lidhje me akuzat se Shtetet e Bashkuara po përgjojnë udhëheqësit e vendeve të tjera.

"Publikimi i informacioneve sekrete ka krijuar një moment tensioni me disa prej aleatëve tanë. Ne jemi në diskutime me ata aleatë, dhe do t’i vazhdojmë ato, siç po dëshmohet nga ardhja e delegacionit gjerman këtu në javët e ardhshme. Edhe në javën e kaluar, nëse shikoni udhëtimet e sekretarit të shtetit, këtë çështje ai e ka diskutuar me francezët dhe me italianët," tha zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit Marie Harf.

Dokumentet sekretet të Shteteve të Bashkuara janë publikuar nga ish kontraktori i Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden.

Gjermania dhe Franca po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të ndalin përgjimet në Evropë, dhe synojnë arritjen e një marrëveshjeje mbi ndalimin e përgjimeve deri në fund të vitit .

Presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar qeverisë të rishikojë procedurat e saj të survejimit ndaj vendeve aleate për t’u siguruar që mbledhja e informacioneve të bëhet vetëm atëherë kur është e nevojshme.
XS
SM
MD
LG