Lidhje

Aktorët kryesorë të bisedimeve me Iranin


Pas vitesh përgatitjeje, diplomatët arritën një marrëveshje që ata shpresojnë se nuk do ta lejojë Iranin të prodhojë një armë bërthamore, duke i hequr njëkohësisht edhe sanksionet e rënda ekonomike.

Dy vjet më parë, diplomatë të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit filluan të negocionin një marrëveshje bërthamore. Ishte ndërveprimi i parë i drejtpërdrejtë diplomatik midis dy vendeve pas më shumë se 30 vitesh.

Analistët thonë se dy vendet nuk janë bërë tashmë miq papritur, por të dyja do të kenë përfitime nga marrëveshja. Zbatimi pritet të jetë një proçes i gjatë dhe kompleks.

“Flitet për shkencën bërthamore, inxhinierinë, dhe një rrjet sanksionesh, që askush nuk mendonte se do të hiqeshin ndonjëherë. Pra, do të duhet të zhbëhen këto hapa në fushën inxhinierike dhe shkencore, si dhe në lëmin e politikës.”

Në bisedime janë përfshirë të gjitha vendet që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania, të emërtuara P5 + 1.

Por, dy lojtarët më të mëdhenj në negocime kanë qenë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm i Iranit Javad Zarif.

Të dy janë kritikuar në vendet e tyre, dhe janë akuzuar se po japin dhe marrin me armikun. Të dy kanë shprehur interesim të jashtëzakonshëm personal për të arritur marrëveshjen, duke thënë se ajo do të shmangë luftën dhe do të shpëtojë ekonominë e Iranit.

“Nuk mendoj se do të shohim përfitime të menjëhershme ekonomike, por do të shohim një ndikim pozitiv të vazhdueshëm për ekonominë e Iranit.”

Zgjedhja në vitin 2013 e Presidentit iranian Hassan Rouhani, i cili shikohet si më i moderuar se udhëheqësit e tjerë të Iranit, i dha shtysë fillimit negociatave.

“Këto bisedime u mundësuan pasi populli iranian doli të votojë për Hassan Rouhanin dhe e zgjodhi atë kundër të gjitha gjasave dhe pavarësisht se nuk dukej asnjë shpresë.”

Zbatimi i marrëveshjes do të jetë i ndërlikuar, thonë analistët, ndërkohë që diplomatët rikthehen në vendet e tyre për të bindur kundërshtarët që jo vetëm të pranojnë marrëveshjen, por edhe të përftojnë një këndvështrim të ri të një bote ku Irani dhe SHBA punojnë së bashku.

XS
SM
MD
LG