Në Dhomën e Përfaqësuesve do të jetë një ekip i ri që do të hetojë mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara. Kryetari i Komisionit të Zbulimit, Devine Nunes u tërhoq nga drejtimi i hetimit, pasi ndaj tij po kryhet një hetim etik. Muajin e kaluar, në një qëndrim të pazakontë, ai shkoi në Shtëpinë e Bardhë ku u njoh me disa dokumente sekrete dhe më pas njoftoi Presidentin Trumë rreth tyre.
Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Devin Nunes përmendi një hetim etik ndaj tij si arsyen e terheqjes nga hetimi i Komisionit të Zbulimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.
Vendimi u mbështet nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan:
"Kryetari Nunes nuk dëshiron të bëhet pengesë në këtë hetim shumë të rëndësishëm. Pra, ai dëshiron ta sqarojë hetimin etik ndaj tij, ndërkohë që hetimi mbi ndërhyrjen ruse vazhdon pa asnjë pengesë."
Anëtari demokrat i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff thotë se vendimi i ligjvënësit Nunes është në interesin më të mirë të hetimit:
"Mendoj se kjo do të krijojë kushtet për një fillim të ri në hetimin e ndërhyrjes ruse."
Ligjvënësi Nunes ngriti shqetësime në mesin e demokratëve dhe disa republikanëve, kur muajin e kaluar shkoi në Shtëpinë e Bardhë, ku një burim ende i paindentifikuar, i tregoi atij dokumente sekrete. Ai pastaj informoi Presidentin Donald Trump në lidhje me përmbajtjen e dokumenteve, të cilat sipas ligjvënësit Nunes, përmbanin informacione për nxjerrje në mënyrë të parregullt të emrave të këshilltarëve të fushatës së zotit Trump, që ishin interceptuar gjatë përgjimeve të ligjshme të diplomatëve rusë.
Presidenti Trump tha se informacioni që ai mori nga ligjvënësi Nunes ishte një lloj prove për pohimin e tij në Twitter se ish presidenti Barack Obama e kishte "përgjuar" Kullën Trump. Megjithatë, zyrtarët e lartë të zbulimit kanë thënë se nuk ka prova për të mbështetur pretendimet presidentit Trump.
Ligjvënësi Nunes përballet me një hetim nga Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve mbi çështjen nëse ai ka nxjerrë sekretesh kur ka folur rreth dokumentet sekrete që ka parë në Shtëpinë e Bardhë.
Tre ligjvënës republikanë tani do të marrin përgjegjësinë e drejtimit të hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi ndërhyrjen ruse. Hetime të ngjashme po zhvillohen edhe nga Senati.
Facebook Forum