Lidhje

Obama dënon sulmet terroriste në Bruksel


Presidenti Barack Obama tha se ngjarjet e stome në Bruksel janë një tjetër kujtesë se bota duhet të qëndrojë e bashkuar për të luftuar terrorizmin.

Në hapje të një takimi drejtuar popullit kuban në Havanë, ku ndodhet për vizitë, Presidenti Obama tha se SHBA do të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme për të ndihmuar aleaten e tyre Belgjikën, të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.

Ai tha se SHBA “qëndrojnë në solidaritet me ta dhe i dënojnë këto sulme të neveritshme kundër njerëzve të pafajshëm.''

“Ne mund dhe duhet të mposhtin ata që kërcënojnë sigurinë e njerëzve kudo në botë,” tha Presidenti Obama.

Shtëpia e Bardhë tha se SHBA janë në kontakt me zyrtarët belgë rreth shpërthimeve në aeroport dhe në sistemin e metrosë së Brukselit.

Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili foli me telefon nga Kuba me ministrin e jashtëm belg, tha në një deklaratë se SHBA janë duke punuar për të mësuar mbi gjendjen e të gjithë shtetasve amerikanë në Bruksel.

Ambasada amerikane ka publikuar një deklaratë ku i këshillon amerikanët të qëndrojnë aty ku janë dhe të marrin masat e duhura për sigurinë e tyre personale.

Departamenti i Shtetit tha se ishte duke sqaruar njoftimet se të paktën tre amerikanët mund të jenë plagosur në sulmet, por shtoi se këto njoftime ishin ende të pakonfirmuara.

XS
SM
MD
LG