Lidhje

Presidenti Obama në Belfast për takimin e G-8


Presidenti Obama përgëzoi irlandezët dhe tha se përpjekjet e tyre për të krijuar një paqe të qëndrueshme kanë krijuar një shembull për botën

Presidenti Obama dhe familja e parë mbërritën në Belfast sot herët në mëngjes dhe shkuan nga aeroporti direkt në Sallën Waterfront Hall të Belfastit, ku Presidenti dhe Zonja e Parë Michelle Obama folën përpara një audience të përbërë kryesisht nga të rinj.

Zonja e parë tha se vendimet që rinjtë do të marrin në vitet që vijnë do t'i japin formë botës që ne të gjithë ndajnë:

"Më lejoni t'ju them se, duke qëndruar këtu me ju të gjithë sot, kurrë nuk jam ndjerë më optimiste. Sepse vazhdimisht unë shoh të rinj si ju këtu që zgjedhin të punojnë së bashku, të ndihmojnë njëri-tjetrin, të lënë pas konfliktet dhe paragjykimet e së kaluarës dhe të krijojnë një të ardhme të ndritur për të gjithë ne," tha Zonja e Parë.

Nga ana e tij, Presidenti Obama foli në lidhje me përparimin që ka bërë Irlanda e Veriut në arritjen e paqes, pas shumë viteve të konfliktit mes katolikëve dhe protestantëve. Ai përgëzoi irlandezët dhe tha se përpjekjet e tyre për të krijuar një paqe të qëndrueshme kanë krijuar një shembull për botën."

"Tani që ne flasim, përtej këtyre brigjeve, në qoshe të ndryshme të botës, ka njerëz që jetojnë në kthetrat e konfliktit, konfliktit etnik, fetar, fisnor, dhe ata e dinë se në botë ka diçka më të mirë. Prandaj ata përpiqen të gjejnë rrugën se si ta lënë pas tragjedinë që u la historia, të lënë mënjanë dhunën. Ata pyesin veten, në qoftë se Irlanda Veriore mundi të arrijë paqen pse të mos e arrijmë edhe ne. Pra, ju jeni shembulli që ata mund të ndjekin. Ju jeni dëshmia e asaj çka është e mundur. Sepse shpresa është diçka ngjitëse. Ata po presin të shikojnë se çfarë tjetër do të bëni ju," tha Presidenti Obama.

Programi i ditës së sotme për Presidentin Obama parashikon takime përpara samitit me Kryeministrin britanik David Cameron dhe me presidentin rus Vladimir Putin për bisedime mbi konfliktin sirian. Presidenti rus ka përkrahur qeverinë e udhëheqësit sirian Bashar al-Asad.

Samiti do të trajtojë gjithashtu përpjekjet për të nxitur ekonomitë e ngadaltë. Vendet e G8 - Britania, Franca, Kanadaja, Japonia, Italia, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara - përbëjnë 50 për qind të prodhimit ekonomik të botës.
XS
SM
MD
LG