Lidhje

Presidenti Obama për të ardhmen bërthamore


Presidenti amerikan Barack Obama ka propozuar që arsenalet bërthamore të Amerikës dhe Rusisë të pakësohen. Analistët thonë se ky hap mund të rezultojë në një botë më të sigurtë dhe t’u kursejë të dy vendeve shumë shpenzime. Por, ekspertët thonë se përfitimi më i madh mund të jetë përmirësimi i marrëdhënieve Ruso-Amerikane. Korespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin raporton nga Londra.

Presidenti Obama zgjodhi një vend domethënës të Luftës së Ftohtë, Portën e Brandenburgut në Berlin, për të propozuar kontrollin e ri të armëve, duke ofruar pakësimin me një të tretën të raketave bërthamore të Shteteve të Bashkuara.

“Unë kam si qëllim që të kërkoj pakësimet e diskutuara me Rusinë për të lëvizur përtej qëndrimeve bërthamore të Luftës së Ftohtë”.

Turma në Berlin ishte shumë entuziaste. Por diskutimi konkret i pakësimeve dhe arritja e një marrëveshjeje të miratuar nga Senati i SHBA-së do të jetë i veshtirë.
Megjithatë, ekspertja për energjinë bërthamore, Heather Williams, nga instituti i kërkimeve në Londër Chatham House, thotë se bisedimet do të kenë vlerë më të madhe.

“Vetë numri i pakësimeve dhe i armëve që po tërhiqen është i rëndësishëm, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme në kontrollin e armëve. Janë vetë bisedimet që i japin Amerikës dhe Rusisë mundësinë për t’u angazhuar dhe përpjekur për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre”.

Zonja Williams thotë se bisedimet mes Rusisë dhe Amerikës mund të vendosin pakësimin e armëve bërthamore në programin e fuqive të tjera bërthamore në botë, si për shembull, India.

Nëntë vende kanë armë bërthamore, dhe më shumë po përpiqen t’i bashkohen grupit. Rusia dëshiron që çdo bisedim të përfshijë të paktën Kinën.

Por Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë të paktën rreth 90 për qind të bombave bërthamore në botë, shumica e të cilave ndodhen në ndërtesa nëntokësore, gati për t’u lëshuar brenda disa minutash.

Kështu që, sipas këshilltarit të qeverisë Britanike nga Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, Malcolm Chalmers, bisedimet ruso-amerikane të stilit të Luftës së Ftohtë janë akoma të nevojshme.

“Unë nuk mendoj që bisedimet do të ndodhin në muajt e ardhshëm, dhe një gjë e tillë nuk i përshtatet presidentit rus Putin për sa i përket pozitës së tij të brendshme. Në të njëjtën kohë mendoj që dikur gjatë 5 ose 10 viteve të ardhshme, do të jetë diçka që do t’i interesojë edhe Amerikës edhe Rusisë”.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mijëra armë bërthamore në tokë, hapësirë, dhe det, shqetësimi rreth një konflikti bërthamor mes Amerikës dhe Rusisë është zvogëluar shumë në krahasim me vitet e Luftës së Ftohtë.

Por zonja Heather Williams thotë se është edhe një arsye tjetër që ndikon për pakësimin e arsenalëve bërthamorë, ato janë të shtrenjta.

“Rusia, siç e di çdokush, është nën një presion shumë të madh financiar. Dhe ata nuk kanë investuar në infrastrukturën e tyre bërthamore. Deri në një farë pike, këtë e ka bërë edhe Amerika. Por Rusia nuk mund të shpenzojë për këto armë, kështu që ajo është më gatshme se sa Amerika për t’i eliminuar ata”.

Kështu që, edhe në një kohë kur tensionimet bërthamore janë pakësuar, ka arsye për të ulur këto shqetësime edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, mbase kjo mund të shërbejë edhe për t’i hapur rrugën dialogut mes Amerikës dhe Rusisë për probleme të tjera.
XS
SM
MD
LG