Lidhje

SHBA: Reagime ndaj vizitës së Presidentit Obama në Kubë


Në një koment që bëri të hënën në Facebook, presidenti Barack Obama tha se ai kishte shkuar në Havanë “për t’i shtrirë dorën e miqësisë popullit kuban” dhe “për të varrosur mbeturinat e fundit të Luftës së Ftohtë në Amerikën Veriore dhe atë Jugore”.

Ky mesazh i presidentit Obama vjen një ditë pasi turmat entuziaste të kubanëve e mirëpritën ardhjen e tij në Havanë, me thirrjet “USA, USA”, në kontrast të thellë me kandidatët repubublikanë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara që u shprehën me kritika për vizitën në mediat sociale.

Kryesuesi i garës së republikanëve, Donald Trump, dërgoi një mesazh me Twitter, me të mbërritur avioni presidencial në Kubë, ku thonte mes të tjerash, se “Presidenti nuk u prit nga zoti Kastro, i cili kishte dalë për të pritur Papën”. Më parë zoti Trump kishte thënë se ai ishte i kënaqur me politikën e re amerikane ndaj Kubës.

Ndërsa kandidati tjetër republikan, Ted Kruz, i cili është kubano-amerikan, shkroi në gazetën “Politico”, se liria në Kubë nuk mund të vijë “duke fuqizuar diktaturën, ndërkohë që Kuba është eksportues i terrorizimit në Amerikën latine.”

Senatori i Teksasit tha se babai i tij ishte torturuar nga regjimi i Batistës, ndërsa halla e tij “ishte trajtuar në mënyrë brutale nga grabitësit e Fidel Kastros”, para se ajo të arratisej, në kërkim të lirisë në Shtetet e Bashkuara.

Cruz është kandidati i vetëm amerikano-kubanez që ka mbetur tani në garën presidenciale, pas largimit nga gara javën e kaluar të Senatorit të Floridës Marco Rubio. Megjithë largimin nga gara, Rubio ka mbetur kritik ndaj politikës së administratës; ai shkroi në facebook se vizita e presidentit Obama në Kubë shënon fillimin e “udhëtimeve më të papranueshme që kanë ndërmarrë ndonjëherë presidentët amerikanë në botë.”

Ky qëndrim i Rubios është i përbashkët me atë të disa republikanëve, të cilët thonë se izolimi është mënyra më e mirë për të realizuar lëshime ndaj shqetësimeve për të drejtat e njeriut nga regjimi i Kubës.

Ndërsa kandidati tjetër i garës së republikanëve, guvernatori i Ohajos, John Kasich, tha në një intervistë për rrjetin televiziv MSNBC se ai donte të shihte një ekuilibër më të madh në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës.

Këtë javë Senati është pushim, por anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve reaguan me forcë për vizitën.

Ligjvënësja e Floridës Ileana Ros-Lehtinen e kritikoi zotin Obama, duke thënë se presidenti shqetësohet vetëm për të siguruar trashëgiminë e tij presidenciale.”

Ligjvënësja kubano-amerikane Lehtinen tha se takimi i Presidentit Obama me disidentët nuk ishte i mjaftueshëm, sidomos pasi ai kishte shtrënguar duart e një “tirani vdekjeprurës” si Raul Castro,".

Kongresmeni republikan Mike Pompeo tha se ka një arsye përse asnjë president amerikan në këtë post në rreth 90 vjet, nuk e ka vizituar Kubën, duke e cilësuar udhëtimin si një konçesion që i bëhet një diktatori.

Por ka patur edhe disa ligjvënës republikanë që kanë shprehur mbështetje për lehtësimin e kufizimeve ndaj udhëtimit dhe tregtinë me Kubën kohët e fundit. Të paktën 15 senatorë republikanë i kanë mbështetur publikisht këto politika.

Presidentin po e shoqëron një delegacion prej tridhjetë e nëntë ligjvënësish, mes tyre pesë republikanë.

Kandidatët demokratë për president Bernie Sanders dhe Hillary Clinton kanë thënë se e mbështesin angazhimin e Shteteve të Bashkuara me Kubën.

XS
SM
MD
LG