Lidhje

Obama diskuton zgjedhjet në Rusi me Presidentin Medvjedev


Obama diskuton zgjedhjet në Rusi me Presidentin Medvjedev

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka ngritur pyetje lidhur me zgjedhjet e kontestuara parlamentare të Rusisë gjatë një bisede telefonike me Presidentin Dmitri Medvjedev.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë të saj dje se Presidenti Obama vuri në dukje njoftimet për mënyrën e parregullt të zhvillimit të zgjedhjeve, por mirëpriti angazhimin e zotit Medvjedev për hetimin e akuzave.

Zoti Obama vlerësoi gjithashtu përgjigjen e autoriteteve ruse për të lejuar mbajtjen e demonstratave kundër zgjedhjeve.

Policia ruse njoftoi se rreth 20 mijë njerëz dolën nëpër rrugët e Moskës të shtunën e kaluar dhe mijëra të tjerë protestuan në qytete të tjera të Rusisë kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të fituara nga partia Rusia e Bashkuar e Kryeministrit Vladimir Putin. Zoti Putin do të kandidojë për zgjedhjet presidencialë në muajin mars.

Presidenti Obama tha se protestat janë shprehje e shoqërisë civile që përputhet me qëllimin e zotit Medvjedev për modernizimin e Rusisë.

Për një temë tjetër, Shtëpia e Bardhë tha se gjatë bisedës telefonike, zoti Obama përshëndeti Rusinë për marrjen e ftesës për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Tregtisë. Në deklaratë thuhet se të dy presidentët e vlerësuan këtë arritje si një tjetër rezultat të marrëdhënieve të reja bilaterale mes dy vendeve që do t’i shërbejë si Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe Rusisë.

XS
SM
MD
LG