Lidhje

Ekonomia në fjalimin e presidentit mbi gjendjen e vendit


Ndërsa Presidenti Obama përgatitet për fjalimin e rëndësishëm vjetor mbi gjendjen e vendit, që do ta mbajë nesër mbrëma, ai përballet me probleme politike, të cilat kanë shkaktuar rënien e mbështetjes së publikut për të. Ekspertët thonë se ai mund të sigurojë një farë ndihme politike gjatë këtij viti, ndërsa ekonomia gradualisht në përmirësim, ndihmon sektorin e shitje-blerjes së shtëpive, i dëmtuar rëndë, dhe ul papunësinë.

Problemet e rënda në sektorin e banimit kontribuan në recesionin që la miliona amerikanë pa punë dhe pa shtëpi. Pa punë ata nuk mund të paguanin këstin e shtëpisë, prandaj bankat i nxorën ata nga shtëpitë dhe u përpoqën të mbulojnë humbjet. Një numër i madh shtëpish të pashitura u pasua me uljen e çmimeve, duke dëmtuar kështu pronarët e shtëpive, bankat dhe ekonominë në përgjithësi.

Por tani ekonomia po rritet përsëri dhe shitjet e banesave janë rritur, thotë nën presidenti i kompanisë RealtyTrac, Daren Blomquist, i cili foli për Zërin e Amerikës me anë të Skype-it.

“Ne pamë një përmirësim të ndjeshëm në tregun e shit-blerjes së shtëpive në vitin 2013 si për sa i përket çmimeve, ngritjes së vlerës së shtëpive si dhe vetë shitjeve”.

Zoti Blomquist thotë se çmimet u ngritën ndërsa investitorët filluan të blejnë shtëpi dhe familjet hynë përsëri në këtë treg, por ai parashikon që tregu të përmirësohet me ritëm më të ngadalshëm gjatë këtij viti.
Presidenti mund të flasë rreth përmirësimeve në tregun e shtëpive dhe sektorin e papunësisë në fjalimin mbi gjendjen e vendit.

Kur erdhi në detyrë në vitin 2009, qendrat e papunësisë ishin plot dhe shkalla e papunësisë ishte gati 10 për qind. U deshën 5 vjet që papunësia të binte në nivelin e tanishëm prej 6.7 për qind. Megjithatë mbi 10 milion njerëz janë pa punë dhe 4 milion prej tyre pa punë për më shumë se 6 muaj ose më gjatë, gjendje më e rëndë kjo se sa në recesionet e mëparshme.

Por raportet më të fundit ekonomike vënë në dukje përmirësimin e zhvillimit, ndërtimit, prodhimit dhe besimit të konsumatorëve. Po sipas këtyre raporteve, shkalla e papunësisë në të ardhmen do të bjerë. Aparna Mathur është ekonomiste në Institutin American Enterprise.

“Prirja afat-gjatë le të kuptohet se po shkohet në drejtimin e duhur. Pas rreth 2-3 vjetësh ne mund të arrijmë në nivelet e papunësisë para recesionit, prej 5 për qind”.

Shumë ekonomistë thonë se zakonisht presidentët fajësohen së tepërmi kur ekonomia nuk është mirë dhe marrin shumë merita kur gjërat shkojnë mirë. Kryeekonomisti i firmës Associated General Contractors, Ken Simonson, thotë se kryesisht janë bizneset private dhe jo qeveria që i japin shtytje ekonomisë, por ai shton se gjërat janë përmirësuar gjatë administratës së presidentit Obama.

“Me siguri që ai do të flasë sikur të jetë merita e tij për rënien e ndjeshme të nivelit të papunësisë, që kemi përjetuar gjatë muajve të fundit si dhe për vendet e punës që janë shtuar gradualisht gjatë 3 vjetëve e gjysëm”.

Por zoti Simonson thotë se rivalët republikanë të presidentit nuk do t'i kursejnë kritikat, duke vënë në dukje se niveli i papunësisë është ende më i lartë se sa ajo që shumica e amerikanëve e shikojnë si normale.
XS
SM
MD
LG