Lidhje

Obama, politika e jashtme dhe republikanët


Disa prej kritikëve më të zëshëm të politikës së jashtme të presidentit Barack Obama do të kenë poste të reja si drejtues të komisioneve të ndryshme të Senatit amerikan kur republikanët të marrin kontrollin e Kongresit dhe Senatit në janar. Politikat e jashtme të administratës së presidentit Obama, që nga Ukraina e deri në Lindjen e Mesme, do të ndeshen me më shumë sfida në Kongres.

Ndërsa rriten konfliktet globale, republikanët nuk vonojnë të fajësojnë për to presidentin Obama. Senatori Bob Corker:

“Nuk arrij ta kuptoj se si administrata planifikon ta mundë dhe shkatërrojë grupion ISIS në Siri.”

Po aq kritik është Senatori John McCain.

“Ky president nuk e kupton Vladimir Putinin. Nuk e kupton që Vladimir Putini është agjen i vjetër i KBG-së, që kërkon restaurimin e Perandorisë Ruse.”

Në janar, zoti Corker do të jetë kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe McCain do të drejtojë Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura.

“John McCain godet shumë rrallë. Ai e di me siguri se çfarë duhet bërë dhe se presidenti nuk po e bën atë”, thotë Analisti politik Stuart Rothenberg.

Ai thotë se Kongresi i udhëhequr nga republikanët mund të ndikojë deri diku tek politika e jashtme e presidentit.

“Ata mund të kufizojnë shpenzimet e brendshme dhe të jashtme, sigurinë kombëtare, forcat e armatosura dhe gjëra të tjera. Kjo është një anë ku tradicionalisht presidenti ka patur liri të konsiderueshme veprimi.”

Zoti Obama ka edhe dy vite në Shtëpinë e Bardhë. Por komisionet e kongresit të drejtuara nga republikanët do të vënë në dukje punën e tij, thotë William Howell me Universitetin e Çikagos.

“Politikisht, ata kanë stimuj të fuqishëm ndaj atyre që i perceptojnë si dështime të administratës së presidentit në politikën e jashtme. Mund të përcaktojnë termat e diskutimit që do të pasojë dhe mund të kryejnë hetime.”

Senatori McCain ofroi një shembull gjatë një debati të zjarrtë me Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes Elissa Slotkin lidhur me militatët e Shtetit Islamik, ku pyeti se cila është stategjia.

Kur zonja Slotkin u përgjigj se "strategjia është të mundim ISIL", ai reagoi:

"Ky është synimi. Dua të di cila është strategjia?"

Por zoti Obama nuk ka imunitet as ndaj kritikave nga ligjvënësit e tij demokratë. Senatori Robert Menendez është skeptik lidhur me negociatat bërthamore me Iranin.

“Aktualisht jemi duke luajtur lojën e Iranit.”

“Polarizimi tani është i thellë në Kongresin Amerikan”, thotë diplomati i karrierës Thomas Pickering.

Ai i njeh kryetarët e ardhshëm republikanë të komisioneve dhe nuk është pesimist.

“Senatorët McCain dhe Corker kanë treguar përgjegjësi serioze për interesin tonë kombëtar.”

Betejat e politkës së jashtme mund të fillojnë sapo Kongresi të mblidhet në janar. Senatori Corker thotë se ligjvënësit janë të etur për të shtrenguar sanksionet ndaj Iranit nëse dështojnë negociatat bërthamore.

XS
SM
MD
LG