Lidhje

Obama u bën thirrje amerikanëve të shërbejnë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, filloi disa ditë festime lidhur me inaugurimin e tij të dytë, duke marrë pjesë në një projekt për shërbimin e komunitetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se presidenti shpreson që Dita Kombëtare e Shërbimit të bëhet pjesë e traditës së inaugurimit.

Zoti Obama dhe e shoqja, Mishellë, kaluan një pjesë të ditës dje duke lyer një raft librash në një shkollë fillore në Uashington. Vizita kishte për qëllim të shprehte mbështetjen për amerikanët që kryejnë shërbime vullnetare për komunitetet.

Ndërkohë që presidenti përgatitet të bëjë betimin për mandatin e tij të dytë, ai tha se synon ta përdorë këtë rast për të tërhequr vemendjen në mënyrat e shumta që amerikanët mund të ndihmojnë njeri tjetrin.

“Kjo është në realitet Amerika. Kjo është çfarë ne festojmë. Ky inaugurim është simbol se si funksionon demokracia dhe si transferohet paqësisht pushteti. Por ai duhet të jetë gjithashtu një afirmim se ne jemi në këtë proces sëbashku dhe se ne duhet të mendojmë për njeri tjetirn dhe të punojmë me këmbëngulje për njeri tjetrin”.

Ceremonia publike e inaugurimit nesër përkon me festën kombëtare për nder të udhëheqësit të të drejtave civile, Dr. Martin Luther King, i Riu. Zoti Obama, afrikano-amerikani i parë president i Shteteve të Bashkuara, parafrazoi një citat të Kingut që u bën thirrje amerikanëvë të udhëheqin në shërbim të komuniteteve.

“E kam gjithmonë në mend shprehjen e tij, ‘çdokush do të jetë e pari, çdo kush do të udhëheqë, por që të udhëheqësh duhet të shërbesh, t’i shërbesh drejtësisë, të udhëheqësh për interesin më të mirë të njerëzve të tjerë’”.

Motivi i ceremonive të inaugurimit të këtij viti është “Besim në të Ardhmen e Amerikës” Zonja e Parë, Mishellë Obama, i bëri jehonë të njejtit motiv kur u bëri thirrje të tjerëve të ndihmojnë brezin e ardhshëm.

“Ne po ju dorëzojmë stafetën juve të gjithëve. Prandaj qëllimi është që ndërkohë që ju ndiqni mënyrën tuaj të jetesës, cilët janë ata që do të tërhiqni pas vetes. Dhe për sa kohë që ju tërhiqni dikë pas vetes, ju jeni duke bëtë atë që duhet”.

Zv/Presidenti Xho Baiden dhe e shoqja, Xhill, morrën gjithashtu pjesë në projektin e Ditës Kombëtare të Shërbimit dje në Uashington, duke përgatitur paketa të ndihmës së shpejtë për anëtarët e forcave të armatosura.

Zoti Baiden tha se beson se Shtetet e Bashkuara janë në rrugën e realizimit të gjërave të mëdha.

Presidenti Obama shpalli për herë të parë Ditën Kombëtare të Shërbimit me rastin e inaugurimit të tij në vitin 2009. Ait ka thënë se qëllimi i tij është që kjo të bëhet pjesë e festimeve tradicionale të inaugurimit. Zoti Obama bën betimin zyrtar sot në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë.

Kushtetuta parashikon përfundimin e mandatit presidencial në mesditën e 20 janarit. Meqë kjo ditë bie këtë herë të djelën, dita tradicionale e pushimit për amerikanët, ceremonia publike e betimit të presidentit, sëbashku me fjalimin e tij të rastit dhe pradën e inaugurimt do të mbahen nesër.
XS
SM
MD
LG