Lidhje

Obama: Marrëveshja largon hijen e paqartësisë mbi ekonominë


Presidenti Obama përshëndeti marrëveshjen që shtyn përkohësisht afatin e nivelit tavan të borxhit amerikan dhe rihap qeverinë federale pas 16 ditësh mbyllje të pjesshme. Zoti Obama tha se me këtë hap largohet hija e pasigurisë mbi ekonominë amerikane.

Zoti Obama i bëri komentet pasi Senati miratoi projekt-ligjin me një votë të fortë dypartiake, por para se Dhoma e Përfaqësuesve ta hidhte masën ligjore në votë:

“Do të fillojmë të rihapim qeverinë menjëherë dhe do të fillojmë të largojmë hijen e pasigurisë dhe të qetësojmë bizneset dhe amerikanët”.

Pas siglimit nga Presidenti, niveli tavan i borxhit prej 16.7 trilionë dollarësh do t’i mjaftojë vendit deri më 7 shkurt, duke përfshirë festat e fundvitit: Ditën e Falenderimeve dhe Krishtlindjet, që janë data të rëndësishme për aktivitetin e biznesit.

Qeveria federale, që ka qenë pjesërisht e mbyllur që nga 1 tetori pas kërkesave të disa republikanëve që miratimi i buxhetit të kushtëzohej me anulimin e fondeve për programin e kujdesit shëndetësor, do të jetë në aktivitet të plotë deri më 15 janar.

Projekt-ligji parashtron terrenin për negociata për reduktimin e deficitit. Zoti Obama tha se udhëheqësit e vendit kanë shumë punë përpara për të rifituar besimin e amerikanëve. Ai tha se është i gatshëm të punojë me ligjvënës të të dyja partive për të ndihmuar në korigjimin e problemeve fiskale për periudhën afat-gjatë.

“Nuk kam besuar kurrë se demokratët janë të vetmit që kanë ide të mira. Pavarësisht nga dallimet mes nesh lidhur me mbylljen e qeverisë, jam i bindur se demokratët dhe republikanët mund të punojnë së bashku për të sjellë përparim për Amerikën”.

Marrëveshja dypartiake ishte rezultat i punës së udhëheqësit të shumicës demokrate në Senat Harry Reid dhe udhëheqësit të republikanëve të pakicës Mitch McConnell.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, paaftësia e kryetarit republikan John Boehner për të vënë nën kontroll fraksionin Tea Party ka vënë në pikëpyetje rolin e tij udhëheqës.

Zoti Boehner tha se republikanët nuk do të hiqnin dorë nga beteja për të anuluar ligjin për kujdesin shëndetësor.

Republikani Ted Cruz e mori fjalën gjatë sesionit të Senatit:

“Për fat të keq sot Senati amerikan tha se amerikanët nuk kanë votë në Uashington. Ata nuk kanë zë në Uashington. Është një marrëveshje shumë e keqe”.

Në komentet e tij, Presidenti Obama foli për përparësitë që ai tha se mund të përmbushen para fundit të vitit, përfshirë reformën në imigracion, nëse udhëheqësit bashkëpunojnë dhe e kapërcejnë peridhën e tre javëve të fundit.

“Mendoj se këtë kërkojnë amerikanët. Jo theksin tek manovrat politike, jo vëmendje tek zgjedhjet, por tek hapat konkretë për të përmirësuar jetët tona”.

Kur po largohej nga konferenca për shtyp mbrëmë, Presidentit Obama iu drejtua pyetja nëse mendon se beteja politike për nivelin tavan të borxhit do të rishfaqet pas tre muajsh. “Jo!” u përgjigj Presidenti.
XS
SM
MD
LG