Lidhje

Obama: Presidenti Mubarak duhet të veprojë për të vënë në jetë premtimet


Obama: Presidenti Mubarak duhet të veprojë për të vënë në jetë premtimet
Obama: Presidenti Mubarak duhet të veprojë për të vënë në jetë premtimet

Presidenti Barak Obama tha se kishte folur me zotin Mubarak dhe i kishte kërkuar atij të merrte “masa konkrete” për të përmbushur premtimin që i bëri popullit egjiptian për reforma.

Zoti Obama u tha mbrëmë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se i kërkoi qeverisë egjiptiane të mos ushtrojë dhunë ndaj protestuesve paqësore dhe të rivendosë shërbimet e Internetit dhe komunikimeve të tjera që janë ndërprerë.

Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak foli në televizionin kombëtar për herë të parë pas fillimit të protestave për largimin e tij nga pushteti. Në fjalimin e tij dje vonë, ai premtoi zbatimin e reformave politike dhe ekonomike në vend.

Udhëheqësi 82-vjeçar i Egjiptit i dha urdhër kabinetit qeveritar të japë dorëheqjen dhe premtoi emërimin e një kabineti të ri të shtunën. Ai tha se protestat e ditëve të fundit në Egjipt kanë qënë komplot për të destabilizuar vendin.

Në Kajro vazhdon djegija e ndërtesave dhe tanket patrullojnë rrugët në ditën më kaotike dhe më të dhunshme në Egjipt që nga fillimi i demonstratave masive të martën.

Dhjetra mijëra protestues sfiduan ndalimqarkullimin gjatë natës dhe vazhduan të kërkojnë dorëheqjen e zotit Mubarak.

Zyrtarët e mjeksisë thanë se të paktën 13 vetë u vranë gjatë trazirave të djeshme në Suez. Sipas njoftimeve, më shumë se 100 njerëz janë plagosur në gjithë vendin.

Më parë në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë programin e tyre të asistencës për Egjiptin që kap shumën e një miliardë dollarëve.

XS
SM
MD
LG