Lidhje

Presidentët Obama, Putin diskutojnë për sigurinë në Soçi


Shtëpia e Bardhë njofton se Presidenti Barak Obama ka folur në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin lidhur me çështjen e sigurisë në Lojërat Olimpike të Soçit, që fillojnë muajin e ardhshëm.

Dje ushtria amerikane i ofroi Moskës ndihmë me forca ajrore dhe detare, për të siguruar zonën e qytetit turistik. Biseda e nivelit të lartë u zhvillua ndërsa policia ruse vazhdon kërkimet për të paktën tre persona që dyshohet se janë autorë sulmesh me bombë, duke përfshirë një grua që mendohet se ka hyrë brenda perimetrit të sigurisë që rrethon qytetin.

Dëshmitarët në Soçi thonë se policia ka shpërndarë fotografi të gruas së dyshuar, e cila thuhet se është e veja e një militanti islamik nga republika e Dagestanit. Zyrtarët rusë kanë fajësuar të ashtuquajturat “vejusha të zeza” të ekstremistëve të vrarë, për disa sulme vetëvrasëse që janë kryer më parë në vend.

Të dielën, një grup militant islamik nga Dagestani publikoi në internet një video, ku merrte përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar në Volgograd, ku u vranë 34 persona. Dy burrat në video po ashtu kërcënojnë se do të kryejnë sulme në Lojërat Olimpike. Nuk është e qartë se kur është regjistruar videoja.
XS
SM
MD
LG