Lidhje

Përfundon pa rezultat telefonata Obama-Putin


Presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin nuk gjetën një emërues të përbashkët gjatë një telefonate njëorëshe për të diskutuar krizën në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë tha në telefonatën e djeshme se Presidenti Obama i tha zotit Putin se prania e forcave ruse në Gadishullin e Krimesë është shkelje e sovranitetit të Ukrainës. Kremlini citonte sot në një deklaratë zotin Putin të thoshte se udhëheqësit e rinj të Ukrainës, që gëzojnë mbështetjen e Perëndimit janë të paligjshëm dhe po imponojnë “vendime absolutisht të paligjshme për rajonet lindore dhe juglindore të Ukrainës dhe Krimesë”. Zoti Obama foli për masat e marra nga Uashingtoni dhe aleatët e tij në përgjigje të pranisë së forcave ruse në Gadishullin e Krimesë.

Presidenti po bën thirrje për bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës që do të ndërmjetësoheshin nga komuniteti ndërkombëtar.

“Të fillojnë konsultimet mes qeverisë së Rusisë dhe Ukrainës me pjesëmarrjen e komunitetit ndërkombëtar. Rusia do të vazhdonte të kishte të drejtën për të mbajtur bazën në Krime, nëse respekton marrëveshjet dhe respekton sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës. Bota duhet duhet ta mbështesë Ukrainën në rruggën drejt zgjedhjeve në maj”.

Zoti Obama ka nënshkruar gjithashtu një urdhër ekzekutiv për autorizim sanksionesh ndaj atyre që kanë vjedhur asete të popullit të Ukrainës ose që kanë shkelur integritetin territorial të Ukrainës. Urdhri përfshin gjithashtu kufizime për vizat.

Zoti Obama bëri gjithashtu thirrje që forcat ruse të kthehen në bazat e tyre dhe që vëzhguesit ndërkombëtarë të garantojnë sigurinë e gjithë ukrainasve, përfshirë ata të etnisë ruse.

Shtetet e Bashkuara thonë se referendumi i 16 marsit, i dekretuar nga ligjvënësit pro-rusë të Krimesë për të ardhmen e gadishullit, shkel ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutën e Ukrainës.

“Ne nuk do t’i pranojmë rezultatet e një referendumi të tillë. Çdo diskutim për të ardhmen e Ukrainës duhet të përfshijë qeverinë legjitime të Ukrainës. Jemi në vitin 2014 dhe i kemi lënë pas ditët kur kufijtë mund të ndryshojnë, pa pyetur udhëheqësit demokratikë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Powers.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të vazhdojë diksutimet me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, qeveria e Kievit dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë në ditët në vazhdim, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës.
XS
SM
MD
LG