Lidhje

Pres. Obama i kthehet fushatës, Romni në Virxhinia


Tri ditë pas uraganit Sendi që përmbyti brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara dhe pesë ditë para zgjedhjeve, Presidenti Barak Obama rifilloi fushatën e tij për rizgjedhje dje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se presidenti dhe rivali i tij republikan, ish guvernatori shtetit Masaçusets, Mit Romni, pritet të bëjnë fushatë pa ndërprerje deri të martën.

Pas tri ditë ndërprerje, zoti Obama iu kthye përsëri fushatës, duke folur në një miting në aeroportin e Green Bay-it në Uiskonsin. Presidenti e filloi fjalimin duke përshkruar shkatërrimet që pa të mërkurën në Nju Xhersi, i shoqëruar nga guvernatori republikan i shtetit.

“Nuk ka demokratë dhe republikanë gjatë stuhisë. Ka vetëm amerikanë. Udhëheqës të partive të ndryshme që punojnë për të rregulluar çfarë është prishur, fqinjë që ndihmojnë fqinjët të përballojnë tragjedinë, komunitete që janë mobilizuar për të rindërtuar”.

Por presidenti demokrat Obama, u përqendrua menjëherë pas kësaj tek mesazhi mjaft i njohur tashmë i fjalimeve të tij të fushatës.

“Ju do të bëni një zgjedhje mes dy vizioneve të ndryshme për Amerikën, njërit që do të na kthejë në politikat nga lart poshtë që do të shtypin ekonominë tonë. [BOOS] Mos bë zhurmë Uiskonsin, voto! Një e ardhme që ndërtohet bazuar në një shresë së mesme të fortë dhe në rritje”.

Green Bay ishte ndalesa e parë e katër mitingjeve të djeshme të presidentit. Ai u ndal gjithashtu në Las Vegas të Nevadës; në Denver të Kolorados dhe në Kolumbus të Ohajos. Zoti Romni kishte në plan tri manifestime fushate dje, të gjithë në shtetin me rëndësi të Virxhinias. Në një miting pranë kryeqytetit, Riçmond, kandidati republikan foli gjithashtu për dëmet e shkaktuara nga uragani Sendi dhe u bëri thirrje përkrahësve të tij të ndihmojnë viktimant.

“Dhe unë shpresoj që ju të mendoni dhe të luteni për ta dhe nëse keni disa dollarë më tepër dërgoini ato përmes Kryqit të Kuq Amerikan ose Ushtrisë së Shpëtimit, ose nëpërmjet organizatave të ndihmave për të sjellë një ndryshim në jetën e bashkëatdhetarëve tanë. Ne kujdesemi për ta. Kjo është pjesë e karakterit tonë si amerikanë që t’u vimë në ndihmë njerëzve në nevojë, dhe kjo është një periudhë që e kërkon këtë”.

Zoti Romni kritikoi ashpër politikat e zotit Obama për ekonominë dhe ironizoi propozimin e presidentit për të shkrirë disa agjenci qeveritare në Departamentin e Biznesit.

“Nuk mendoj se një tjetër karike në kabinet do të krijojë vendet e nevojshme të punës për amerikanët. Prandaj marr përsipër të siguroj që ne të zgjedhim një president që e kupton biznesin, ndryshe nga ai që përpiqet të sjellë në kabinet një njeri që ka qënë në biznes”.

Zv/presidenti Xho Bajden dhe rivali i tij, kongresisti Pol Rajan po bëjnë edhe ata fushatë intensivisht, po ashtu edhe e shoqja e Presidentit Obama, Mishellë Obama dhe e shqja e zotit Romni, An Romni. Ish presidenti demokrat, Bill Klinton, ka mbajtur disa aktivitete fushate në mbështetje të zotit Obama.

Sondazhet e opinionit tregojnë se gara është praktikisht në barazim, me presidentin paksa në krye në disa shtete, ku analistët thonë se mund të vendoset rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG