Lidhje

Presidenti Obama kërkon një raport për sulmin kibernetik të Rusisë


Shtëpia e Bardhë tha të premten se Presidenti Obama ka kërkuar shqyrtimin me kujdes të informacioneve të zbulimit lidhur me një sulm kibernetik të Rusisë gjatë zgjedhjeve të 8 nëntorit të këtij viti. Por Presidenti ka kërkuar që në këtë raport të përfshihen edhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Eric Schultz tha sot në një konferencë shtypi se “Presidenti kërkoi një shqyrtim të hollësishëm për aktivitet keqdashës kibernetik ndaj ciklit të zgjedhjeve presidenciale amerikane.”

Kërkesa e zotit Obama përkon me shtimin e presionit nga Kongresi për infomacion më të hollësishëm dhe të saktë ndaj publikut, lidhur me veprimet e Moskës për të ndërhyrë në procesin elektoral.

Sipas mediave amerikane, Presidenti Obama ka kërkuar që të hartohet një raport mbi këtë çështje, para se ai të largohet nga posti më 20 janar.

Më 7 tetor, organet amerikane e akuzuan zyrtarisht Rusinë se po përpiqej të ndërhynte tek zgjedhjet presidenciale përmes aktivitetit të piraterisë të “organizatave politike.”

Edhe pse në deklaratë nuk u tha asnjëherë se cila parti kishte rënë pre e sulmit kibernetik rus, ishte e qartë se zyrtarët i referoheshin ndërhyrjes tek kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe grupe të tjera të Partisë Demokrate.

E-mailet e piratuara që ishin të dëmshme për partinë dhe zonjën Hillary Clinton, shumë shpejt u shfaqën tek faqet e internetit, si WikiLeaks.

XS
SM
MD
LG