Lidhje

Pres. Obama: E nënvlerësova ndikimin e sulmeve kibernetike ruse


Presidenti amerikan Barack Obama, pas përfundimit të agjencive amerikane të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale, thotë se “e nënvleftësoi” ndikimin e fushatës së keqinformimit dhe sulmeve kibernetike tek një vend demokratik.

Zoti Obama, që mbaron mandatin e tij pas 12 ditësh, tha në televizionin ABC se nuk mendon se e ka nënvleftësuar Presidentin rus, Vladimir Putin, që komuniteti i zbulimit vlerëson se kishte urdhëruar përpjekjen për të sabotuar sistemin amerikan të zgjedhjeve demokratike dhe kandidaturën e ish-rivales së presidentit të zgjedhur Donald Trump, Hillary Clinton. Por ai shtoi:

"Mendoj se nënvlerësova se në ç’shkallë, në këtë erë të re informacioni, është e mundur që keqinformimi, sulmet kibernetike të ndikojë tek shoqëritë tona të hapura, në sistemet tona, të depërtojnë në praktikat tona demokratike në mënyra të tilla që unë mendoj se po përshpejtohen”.

Ai tha se kishte bërë publik një version të shkurtër të raportit të zbulimit për sulmet kibernetike ruse, “që ta kuptojmë se kjo është diçka që Putin e ka bërë për një kohë të gjatë në Evropë, fillimisht në ish-vendet satelite të saj, ku ka shumë njerëz që flasin rusisht, por gjithnjë e më shumë edhe në demokracitë perëndimore”.

Agjencitë amerikane të zbulimit, arritën në përfundimin se Rusia kishte depërtuar në mijëra emaile të shefit të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta dhe i bëri ato publike përmes faqes WikiLeaks, përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit. Raporti nuk analizon nëse rrjedhja e emaileve ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve, një fakt që zoti Trump e ka theksuar në një sërë komentesh në Twitter që kur u informua me gjetjet e agjencive të zbulimit të premten,

"Informacioni i zbulimit e thekson se nuk ka absolutisht asnjë provë se sulmi kibernetik ndikoi tek rezultatet e zgjedhjeve. Paisjet e votimit nuk janë prekur”, shprehej zoti Trump. Intelligence stated very strongly there was absolutely no evidence that hacking affected the election results," Trump said. "Voting machines not touched!"

Presidenti Obama paralajmëroi kundër marrëdhënieve të afërta me Rusinë.

"Një nga gjërat që më shqetëson është se sa të shumta kanë qenë komentet, ku republikanë apo komentatorë dukej se kishin më shumë besim tek Vladimir Putin sesa tek amerikanët e tjerë, thjesht sepse amerikanët e tjerë ishin demokratë. Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha ai.

Zoti Obama tha se ka folur disa herë pas zgjedhjeve me Presidentin e zgjedhur Trump dhe se mesazhi kryesor që është përpjekur të përcjellë është se ka ndryshim mes qeverisjes dhe fushatës dhe se sapo bën betimin “je në krye të institucionit më të madh të botë”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG