Lidhje

Obama shkon për pushime në Havai


Obama shkon për pushime në Havai
Obama shkon për pushime në Havai

Presidenti Barak Obama la Uashingtonin për të shkuar në Havai, ku ai do t’i bashkohet familjes së tij për pushimet e fundvitit. Ai i kishte shtyrë pushimet për afro një javë sepse i duhej të përballej me një situatë të tensionuar politike midis tij dhe Kongresit, mbi çështjen e zgjatjes së një shkurtimi të taksave.

Bashkëshortja e zotit Obama, Michelle Obama, dhe vajzat e tyre Malia dhe Sasha kanë qenë në Havai qysh prej javës së shkuar, ndërkohë që Presidenti qëndroi në Uashington duke negociuar me mjaft tensione me Kongresin lidhur me kohëzgjatjen e ligjit mbi shkurtimin e taksave mbi pagat.

Akti i fundit i dramës u zhvillua në orët e para të së premtes, kur Senati dhe më pas Dhoma e Përfaqësuesve miratuan me shpejtësi një kompromis për të zgjatur shkurtimin e taksave për dy muaj të tjerë.

Zoti Obama firmosi ligjin, i cili gjithashtu lë në fuqi ndihmën e parashikuar prej qeverisë federale për të papunët, duke aprovuar edhe një masë tjetër legjislative të veçantë e cila do të lejojë vazhdimin e punës për zyrat qeveritare gjatë vitit 2012.

Edhe pse mbajtja në fuqi e taksave të reduktuara u sigurua vetëm për 60 ditë, kjo shihet gjerësisht si një fitore për zotin Obama, i cili kërkon të rizgjidhet President në zgjedhjet e vitit 2012, dhe të paktën si një humbje e përkohëshme për kundërshtarët republikanë.

Gjatë fjalës së tij para nisjes për në Havai, Presidenti Obama tha se përfundimi i gjendjes së bllokuar politike do të ndihmojë miliona amerikanë si dhe ekonominë, duke shtuar se debatet e Uashingtonit nuk duhet të bazohen mbi lojëra politike. Por ai tha se Kongresi, kur të kthehet në janar, duhet të punojë për të zgjatur shkurtimin e taksave për gjithë vitin e ardhshëm dhe se mbetet ende punë për të bërë për të përmirësuar ekonominë dhe për të përshpejtuar shtimin e vendeve të reja të punës.

“Ky vazhdon të mbetet një moment i rëndësishëm për shtresën e mesme të popullsisë dhe ne duhet të vazhdojmë punën së bashku, demokratë dhe republikanë, për të siguruar që ekonomia të vazhdojë të rritet dhe për të bërë të mundur që më tepër vende të reja pune të krijohen.”

Kjo është hera e katërt, qysh prej fitimit të postit në vitin 2008, që Presidenti Obama dhe familja e tij kalojnë pushimet e Krishlindjeve në Havai. Këtë vit ata do të jenë në ishullin Oahu.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksojnë se asnjëherë Presidenti nuk pushon plotësisht. Këshilltarët e tij do të vazhdojnë t’a njoftojnë zotin Obama mbi një sërë problemesh lidhur me vendin dhe me politikat e jashtme.

XS
SM
MD
LG