Lidhje

Obama, thirrje për pakësimin e arsenaleve bërthamore


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë "një përpjekje serioze dhe të qëndrueshme" për të pakësuar arsenalin botëror të armëve bërthamore. Zoti Obama i bëri komentet sot në Seul, në ditën e fundit të takimit të nivelit të lartë mbi Sigurinë Bërthamore.

"Ka ende mjaft aktorë të këqinj në kërkim të këtyre materialeve të rrezikshme, dhe këto materiale janë ende të pasigurta në shumë vende të botës. Nuk duhet shumë, vetëm një pjesë e vogël prej këtyre materialeve për të vrarë qindra mijëra njerëz të pafajshëm. Ky nuk është aspak një zmadhim, por realiteti me të cilin përballemi. "

Presidenti Obama pranoi se është bërë përparim që nga takimi i vitit 2010 në Uashington dhe vuri në dukje se numri i vendeve pjesëmarrëse në takimin e këtij viti është rritur në më shumë se 50.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung-bak, përsëriti nevojën për "bashkëpunim ndërkombëtar" për të luftuar terrorin bërthamor.

"Meqenëse terrori nuk njeh kufij, dhe për shkak se terrori bërthamor nuk është i kufizuar në një vend të vetëm, bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot."

Takimi u errësua nga njoftimi i Koresë së Veriut se ajo do të lëshojë një satelit muajin e ardhshëm. Shumë vende perëndimore besojnë se fjala është për provën e një rakete me rreze të gjatë veprimi.

Zoti Obama e paralajmëroi Phenianin se lëshimi i raketës do të rrezikonte një marrëveshje për ndihma ushqimore amerikane. Koreja e Veriut i quajti komentet e presidentit Obama "konfrontuese".

Megjithatë, zyrtarët amerikanë thanë se Koreja e Veriut nuk ishte fokusi i bisedimeve bërthamore në Seul. Zyrtarët njoftuan një program për përdorimin në reaktorët bërthamorë të një lënde djegëse që nuk mund të kthehet në material me të cilin të mund të prodhohen armë bërthamore.

"Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që do të bashkëpunojnë me Korenë e Jugut, Belgjikën dhe Francën, për të testuar uranium me pasurim të ulët në disa reaktorë kërkimorë të Francës dhe Belgjikës. Njohuritë e fituara nga ky testim mund të ndihmojnë për të bërë konvertimet e reaktorëve kërkimorë në mbarë botën."

Shtetet e Bashkuara dhe furnizuesit kryesorë evropianë të izotopeve mjekësore - Belgjika, Franca dhe Hollanda – njoftuan dje se do të heqin dorë nga përdorimi i uraniumit shumë të pasuruar dhe do të kalojnë në një formë më pak të fuqishme të këtij materiali.

Zyrtarët thonë se marrëveshja mes katër vendeve e ul mundësinë që materiale të tilla të bien në duar të gabuara.

XS
SM
MD
LG