Presidenti Barack Obama priti tre amerikanët, të cilët kryen një akt heroik në një tren pasagjerësh të Parisit në muajin gusht, duke ndaluar me trupat e tyre një person të armatosur, që mendohet të ketë patur lidhje me islamikët radikalë.
Presidenti i priti Alek Skarlotos-in, Spencer Stone-in and Anthony Sadler-in të enjten në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Ai i vlerësoi të tre burrat për guximin e tyre, për ndërhyrjen e shpejtë dhe frymën e bashkëpunimit, duke parandaluar, siç u shpreh Presidenti, “një fatkeqësi”.
Zoti Obama tha se është e drejtë të thuhet se akti i tre amerikanëve i shpëtoi jetën një numri të madh njerëzish.
"Ata përfaqësojnë më të mirën e Amerikës, karakterin amerikan, - tha presidenti. Dua t’i falenderoj të tre burrat dhe t’u uroj atyre çdo të mirë.”
Po të enjten, pas takimit me Presidentin, të tre burrat morën pjesë në të tjetër ceremoni në Pentagon, ku ata u nderuan me medalje.
Të tre amerikanët dhe një shtetas britanik, ndaluan me trupat e tyre një person të armatosur rëndë në një tren të shpejtësisë së lartë që po shkonte nga Amsterdami për në Paris. Ai ishte një maroken, i cili mendohet se kishte në plan të kryente një sulm në tren. Prokurorët francezë kanë ngritur akuza ndaj 25 vjeçarit Ayoub El-Khazzani, për përpjekje me paramendim për të kryer një sulm terrorist.