Lidhje

Kriza në Ukrainë, burim kritikash për administratën Obama


Zhvillimet në Ukrainë kanë rindezur në Uashington debatin për politikën e jashtme të Presidentit Barak Obama dhe atë që shumë analistë e kanë cilësuar si naivitet i administratës aktuale lidhur me synimet dhe motivet e rivalëve të Amerikës.

Duke sjellë si shembull luftën e përgjakshme në Siri, ambicjet bërthamore të Irakut dhe ndërhyrjen ruse në Ukrainë, ligjvënësit republikanë kanë kritikuar udhëheqjen e Presidentit Obama në arenën ndërkombëtare. Senatori Ted Cruz:

"Një shkak kritik për ndërhyrjen e Putinit ka qenë dobësia e Presidentit Obama. Politika e administratës ka çuar në ftohjen dhe braktisjen e miqve tanë”.

Këto kritika i çon më tej Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Mike Rogers.

"Deri tani mendonim se ishte një shekull tjetër dhe administrata mendonte se nëse sillemi mirë, të tjerët do të sillen mirë me ne. Për fat të keq, Presidenti Putin dhe Federata Ruse nuk e shohin në këtë mënyrë botën”.

Shtëpia e Bardhë i ka dëgjuar kritikat. Zëdhënësi Jay Carney:

"Ekziston një argument i pambështetur në fakte, pa baza të mirëfillta se Presidenti i Rusisë i ka ndërmarrë këto veprime si rezultat i veprimeve të Shteteve të Bashkuara. Mendoj se çdo historian, çdo individ që ka njohuri për Rusinë apo ish-Bashkimin Sovjetik, do ta hidhte poshtë këtë aludim, siç po bëj unë në këtë moment”.

Presidenti Obama duhet të përqëndrohet tek situata konkrete në Ukrainë, shprehet analisti Michael O'Hanlon.

"Nuk mendoj se ai duhet të shqetësohet dhe nuk ma do mendja që ai shqetësohet nga këto kritika për të ashtu-quajturat dobësi në politikën e tij të jashtme. Kritikët do të provohet se e kanë gabim nga mënyra si reagon ai në Ukrainë. Por situata në Ukrainë është tepër kritike dhe mundësia për veprime të gabuara është shumë e lartë”.

Zoti O'Hanlon e cilëson reagimin e administratës si “relativisht të fortë,” por shton se duhen marrë masa edhe më të forta:

"Nëse Rusia do të ndërmerrte ndonjë sulm të hapur kundër Ukrainës, mendoj se duhet shqyrtuar mundësia e ndihmës për ushtrinë e Ukrainës me forma të ndryshme mbështetjeje”.

Rusia thotë se veprimet e saj në Krime synojnë mbrojtjen e banorëve rusë nga ajo që Moska e ka cilësuar si një qeveri e paligjshme në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG