Këtë javë, administrata e presidentit Obama do të vazhdojë përpjekjet për të ndërtuar një koalicion të gjerë ndërkombëtar kundër militantëve të shtetit islamik, i njohur gjithashtu si ISIL dhe ISIS, që kanë marrë territore në Irak dhe Siri. Presidenti Barak Obama do të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të drejtojë një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit për të grumbulluar mbështetje në fushatën kundër radikalëve suni.
Luftimet janë intensifikuar në mes të forcave kurde dhe militantëve të shtetit islamik në veri të Irakut, ku avionët amerikanë dhe francezë kanë ndërmarrë sulme ajrore. Ndërkohë, dhjetra vetë u vranë nga shpërthime bombash në Bagdad, ku shiitët demonstruan kundër çdo dërgimi forcash amerikane në Irak.
Presidenti Obama ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur vënien e trupave tokësore amerikane në role luftarake, duke thënë se goditjen kryesore duhet ta japin irakianët dhe sirianët të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare.
"Mbi 40 vende deri tani kanë ofruar për të ndihmuar në fushatën e gjerë kundër shtetit islamik, me trajnime, pajisje, ndihma humanitare dhe misionet luftarake fluturimi. Këtë javë në Kombet e Bashkuara, unë do të vazhdoj t'i bëj thirrje botës të bashkohet kundër këtij kërcënimi," tha Presidenti Obama.
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, tha:
"Presidenti Obama do të vijë të mërkurën dhe do të thërrasë një samit shumë të pazakontë për çështjen e luftëtarëve të huaj terroristë, në përpjekje për të ndaluar financimin e terroristëve në vende si Iraku dhe Siria, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm."
Deri tani, asnjë vend nuk ka premtuar për t'u bashkuar me Shtetet e Bashkuara në një fushatë ajrore mbi Siri. Por zonja Power ka besim se kjo do të ndodhë.
"Do të bëj një parashikim: ne nuk do të ndërmarrim sulme ajrore të vetëm nëse presidenti vendos për këtë," tha ambasadorja.
Javën e kaluar, të dyja dhomat e Kongresit miratuan trajnimin dhe pajisjen e rebelëve të moderuar sirianë. Edhe pse në të dyja dhomat projektligji gjeti përkrahje të mjaftueshme, kundërshtimet nuk munguan. Senatori republikan Rand Paul:
"Nga Sadami te Assadi dhe Gadafi, është e njëjta histori. Ndërhyrja rrëzon diktatorin. Pastaj vjen kaosi dhe dalin xhihadistët radikalë. Nuk kuptohet dhe nuk reflektohet mbi rezultatin e përfshirjes sonë në luftërat civile arabe."
Pas votimit, ligjvënësit u larguan për një pushim të gjatë deri në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor.