Lidhje

Presidenti Obama, fjalim në OKB


Presidenti Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë dhe me Iranin për një “periudhë kalimtare” që do të çonte në largimin e udhëheqësit sirian Bashar Assad nga pushteti.

Presidenti Obama i bëri komentet në fjalimin që mbajti sot përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Presidenti tha gjithashtu se përdorimi i sanksioneve kundër Rusisë nuk pasqyron një dëshirë për t’u rikthyer te lufta e ftohtë.

Duke iu drejtuar sesionit të 70 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Presidenti Obama vlerësoi rendin ndërkombëtar "që, siç tha ai, ka bërë të mundur arritjen e përparimeve të pashembullta në lirinë dhe dinjitetin njerëzor."

"Ky përparim është i vërtetë", tha presidenti, por ai paralajmëroi se ekzistojnë rryma të rrezikshme që mund ta shtyjnë njerëzimin drejt një bote më të errët dhe më të çrregullt."

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë si dhe me Iranin për një “periudhë kalimtare të menaxhuar” që do të çonte në largimin e udhëheqësit sirian Bashar Assad nga pushteti.

Siria nuk mund të “kthehet në status quo-në e paraluftës,'' tha Presidenti Obama.

Komentet e tij nxorën në pah tensionet mes SHBA dhe Rusisë, aleatit më të fortë Asadit. E ardhmja e Presidentit Assad pritej të jetë një ndër temat kryesore gjatë një takimi të pazakontë që do të ketë sonte Presidenti Obama dhe Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti Obama vuri në shënjestër drejtpërdrejt Rusinë në fjalimin e tij. Ai tha se vendet e botës nuk mund të kthehen tek mënyrat e vjetra të konfliktit dhe nuk duhet të shikojnë prapa.

Në qoftë se nuk punojmë së bashku në mënyrë efektive, ne të gjithë do të vuajmë pasojat," tha Presidenti Obama.

Ai tha se përdorimi i sanksioneve kundër Rusisë nuk pasqyron një dëshirë për t’u rikthyer te lufta e ftohtë.

“Por ne, tha Presidenti Obama, nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur shkelet në mënyrë flagrante sovraniteti dhe integriteti territorial i një vendi.”

Ai iu referua vendimit të Presidentit Putin për të dërguar trupa në Ukrainë në mbështetje të separatistëve.

Nëse kjo ndodh pa pasoja në Ukrainë, tha Presidenti Obama, ajo mund t’i ndodhë çdo vendi që përfaqësohet këtu sot.''

"Përfytyroni në qoftë se Rusia do të ishte angazhuar në diplomacinë e vërtetë. Kjo do të ishte më mirë për Ukrainën, por edhe më mirë për Rusinë. Dhe më mirë për botën," tha Presidenti Obama.

Presidenti kritikoi gjithashtu mbrojtësit e Presidentit sirian Assad, duke thënë se alternativa në këtë rast është më e keqe. Ai la të kuptohet se ata që e miratojnë logjikën e Presidentit Putin po mbështesin "tiranët si Assadi që përdor bomba për të vrarë fëmijët".

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë të ineteresuara për të izoluar Rusinë. Përkundrazi, tha ai, SHBA kërkojnë një "Rusi të fortë, të interesuar për të punuar me ne."

XS
SM
MD
LG