Lidhje

OECD: Ekonomia e eurozonës po bie në recesion


OECD: Ekonomia e eurozonës po bie në recesion
OECD: Ekonomia e eurozonës po bie në recesion

Udhëheqës kryesorë evropianë ndodhen në Uashington për një takim të nivelit të lartë me presidentin Barak Obama rreth krizës së borxhit, ndërsa një raport i ri i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, thotë se ekonomia e eurozonës po bie në recesion.

Kriza evropiane e borxhit ishte tema kryesore e takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Obama dhe Presidentit të Këshillit evropian Herman Van Rompuy, Presidentit të Komisionit Evropian Zhosé Manuel Barroso, shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, dhe sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u zotuan për bashkëpunim në përballimin e sfidave globale, përfshirë gjendjen e vështirë ekonomike dhe politikën e jashtme me një theks tek ngjarjet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Ata diskutuan gjithashtu edhe për programin bërthamor të Iranit, krimin në internet dhe terrorizmin.

Në deklaratën e përbashkët, ata zotohen për të vazhduar bashkëpunimin e afërt në Ballkanin perëndimor dhe rikonfirmojnë angazhimin për të ruajtur stabilitetin dhe për të mbështetur reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën për integrim Euro-Atlantik.

Raporti i OECD-së, thotë se pret që ekonomitë e 17 vendeve që përdorin euron të tkurren me rreth 1 përqind në tremujorin e fundit të vitit dhe me 0.4 përqind në tremujorin e parë të vitit 2012. OECD-ja, një forum që përfshin 34 vende të zhvilluara, thotë se Banka Qendrore Evropiane duhet të ndërhyjë me vendosmëri për stabilizimin e krizës së borxhit në Evropë.

XS
SM
MD
LG