Shefja e OKB-së për çështjen e të drejtave të njeriu ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Siri, ndërkohë që forcat besnike të presidentit Bashar Al-Assad kane vrarë dhjetëra persona në sulmet kundër rajoneve të kontrolluara nga rebelët.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se sot trupat qeveritare kanë vrarë të paktën 41 civilë në mbarë Sirinë, përfshirë 20 vetë në një sulm në qytetin Helfaya, pranë qendrës së protestave në Hama. Burimet e opozitës në qytetin e rrethuar të Homsit i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se tanket e divizionit të katërt të forcave elite të ushtrisë siriane të kontrolluara nga vëllai i presidentit Assad, kanë hyrë në rrugët e qytetit.
Në Gjenevë, Zonja Navi Pillay i tha Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të parandaluar sulmet e trupave siriane ndaj popullatës civile, që sipas saj kanë rezultuar në “vrasje të shumta”. Ajo i bëri thirrje Sirisë të ndalë luftimet dhe të lejojë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmave të hyjnë në Homs dhe qytetet tjera të përfshira nga luftimet. Në përgjigje të këtyre thirrjeve, ambasadori i Sirisë në OKB në Gjenevë, Fayssal al-Hamwi, u largua nga mbledhja pas një fjalimi të zemëruar.