Lidhje

OKB: Vajzat në disavantazh në krahasim me djemtë

  • Zllatica Hoke

Në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara thuhet se mungesa e arsimimit të vajzave në vendet në zhvillim, mund të jetë duke kontribuar tek rritja e varfërisë globale. Raporti i OKB-së për Gjendjen e Popullsisë së Botës 2016, që u paraqit dje në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, përqendrohet tek mirëqenia e vajzave 10 vjeçare si tregues i suksesit ose dështimit të zhvillimit. Sipas tij, shumica e fëmijëve 10 vjeçarë jetojnë në vende në zhvillim ku vajzat hasin pengesa për një arsimimim të mirë, kujdes shëndetësor dhe sigurinë e tyre. Raporti gjithashtu e vë theksin tek disavantazhet e pabarazisë së vazhdueshme tek gjysma e të rinjve.

Nxënëse të Shkollës “Princesha Alia” për vajza në Aman, këndonin për barazinë gjinore në konferencën e shtypit për publikimin e Raportit mbi Gjendjen e Popullsisë së Botës 2016, të Fondit të OKB-së për popullsinë.

Në raport thuhet se 89 për qind e 125 milionë dhjetë vjeçarëve jetojnë në vendet në zhvillim dhe se 35 milionë vajza 10 vjeçare jetojnë në vende ku ka pabarazi gjinore.​

“Në disa pjesë të botës, vajzat 10 vjeçare presin me padurim që t’u hapen horizontet, që të realizojnë ëndrrat e tyre. Por në vende të tjera, ajo i gjen dyert mbyllur. Perspektivat e saj janë të kufizuara ndërsa të ardhmen e saj e kanë në dorë të tjerët, ose varet nga ambjenti i ashpër përreth, përfshirë faktorët që kërcënojnë sigurinë e saj dhe mirëqenien e saj socio-ekonomike”.

Vajzat dhjetë vjeçare në shumë vende të varfra, janë shumë pranë moshës së martesës. Mbi 60 milionë prej tyre nuk shkojnë në shkollë. Ato bëjnë dyfishin e punëve të shtëpisë krahasuar me moshatarët e tyre djem dhe bëjnë punë të papaguar më shumë sesa djemtë.

Çdo 10 minuta. Një vajzë adoleshente vdes nga dhuna dhe shumë prej tyre janë të infektuara me HIV për shkak të përdhunimit. Vetëvrasja është arsyeja e dytë kryesore e vdekjes për vajzat e reja.

“Të mos harrojmë se të gjithë jemi përgjegjës. Të mos harrojmë se çdo fjalë, ose çdo veprim, pozitiv ose negativ mund të ndikojë tek ecuria e jetës nga ky moment në jetën e vajzave. Ky moment të do të përcaktojë rolin e saj në shoqëri, në shoqërinë dhe botën tone”.

Në raportin e OKB-së thuhet se investimi tek shëndeti, arsimi dhe forcimi i pozitës së vajzave 10 vjeçare, mund të trefishojë të ardhurat e vajzave gjatë jetës së tyre

“Të mos investosh tek vajzat nuk është asgjë më pak sesa varfëri e qëllimshme. Nëse nuk investojmë për vajzat, do të kemi një të ardhme më të varfër. Dhe mendoj se kjo është një temë që duhet ta theksojmë vazhdimisht”.

Raporti arrin në përfundimin se të sabotosh vajzat, është e dëmshme jo vetëm për komunitetin e tyre por edhe për gjithë njerëzimin.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG