Lidhje

Dita e pestë e grevës së mësuesve të Oklahomës


Një grevë mësuesish në Oklahoma shënoi ditën e pestë të premten. Një drejtues i sindikatës së shtetit tha se nuk mendon se propozimet për të rritur të ardhurat janë të mjaftueshme për të ndalur protestën të mbahet edhe javën e ardhshme.

Senati i këtij shteti shqyrtoi propozime të ndryshme të premten lidhur me lojërat e fatit në territoret e fiseve indiane dhe mbi taksimin e disa shitjeve në internet që pritet të gjenerojnë rreth 40 milionë dollarë të ardhura në vit.

Por drejtori ekzekutiv i Sindikatës së Arsimit për Oklahomën David Duvall tha se nuk mendon se këto janë të mjaftueshme që mësuesit të mos e vazhdojnë grevën.

"Anëtarët tanë i njohin nevojat e tyre dhe do të na thotë kur ato të plotësohen", tha zoti Duvall.

Senatori republikan Greg Treat, negociatori kyç për buxhetin, tha se nuk i kishte takuar drejtuesit e sindikatës së arsimit dhe se nuk e dinte çfarë do të ishte e nevojshme për të zgjidhur situatën.

"Nuk jam unë ai që e filloi grevën, kështu që nuk jam unë personi që duhet pyetur" tha zoti Treat, një republikan nga Oklahoma City.

Oklahoma është shteti i dytë ku mësuesit janë hedhur në grevë këtë vit. Mësuesit e Virxhinias perëndimore përfituan një rritje pagash prej 5 për qind, pas një greve 9 ditore.

Guvernatorja republikane e Oklahomës Mary Fallin, është përballur me barrën e kritikave nga mësuesit, shumë prej të cilëve e fajësojnë atë për përkrahjen e shkurtimit të taksave dhe për subvencionet bujare shtetërore për bizneset që kanë çuar në rënie të financimit shtetëror për shkollat dhe shërbimet e tjera shtetërore.

Guvernatorja ka rritur më tej zemërimin e mësuesve pas një interviste këtë javë në të cilën ajo i krahasonte mësuesit grevistë me një "fëmijë adoleshent që dëshiron një makinë më të mirë".

Javën e kaluar guvernatorja nënshkroi një ligj që u rrit mësuesve pagën me 15 deri 18 për qind, si dhe dhjetëra miliona dollarë të tjera për shkollat publike. Por shumë mësues thanë se klasat kanë nevojë për më shumë para, duke iu bashkuar një lëvizjeje që ka ndezur protesta në shtete të tjera të udhëhequra nga republikanët, përfshirë Virxhinian perëndimore, Kentakin dhe Arizonën.

Shumë mësues janë kthyer tashmë në punë, veçanërisht në komunitetet rurale ku bordet lokale nuk kanë votuar pro mbylljes së shkollave. Por dy distriktet më të mëdha të shtetit, Oklahoma City dhe Tulsa, njoftuan planet për t'u mbyllur për të pestën ditë të premten.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG