Lidhje

Territoret piktoreske amerikane në Paqësor dhe Karaibe


Disa njerëz mund të befasohen kur mësojnë se përveç 50 shteteve dhe kryeqytetit Uashington, në Shtetet e Bashkuara bëjnë pjesë dhe më shumë se një duzinë territoresh në Oqeanin Paqësor e Karaibe, përfshirë Puerto Ricon dhe Ishujt e Virgjër.

Territoret amerikane në Paqësor dhe Karaibe
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Mikah Meyer ka vizituar së fundmi gjashtë vende të paprekura nga dora e njeriut në këtë zonë, pjesë e Parqeve Kombëtare Amerikane.

Një kompleks shumëshekullor

Ndalesa e parë e tij ishte në kryeqytetin e Puerto Ricos, ku eci në mbi 500 vite histori. San Juan është një fortesë gjigande, e cila dikur përdorej për të mbrojtur ishullin.

https://www.nps.gov/saju/index.htm

Puerto Rico ishte koloni spanjolle për shekuj me radhë, por pas luftës midis Spanjës dhe Amerikës në vitin 1898, i kaloi Shteteve të Bashkuara. Sot turistë të shumtë vizitojnë këtë vend që bën pjesë në Trashëgiminë Botërore për të mësuar diçka më tepër rreth historisë dhe arkitekturës unike të tij.

“Përmasat e kësaj arkitekture më lanë pa fjalë...”, shprehet Mikah. “Ishte kaq bukur të ecje përreth kësaj fortese e cila, si çdo kështjellë tjetër e kohës së Revolucionit Amerikan dhe Luftës së vitit 1812, është pjesë e historisë amerikane por sërish duket ndryshe.”

Mikah vuri re se sa ndryshe dukej kjo kështjellë, krahasuar me të tjerat që kishte parë dhe që i përkisnin kohës së Revolucionit Amerikan ose Luftës së vitit 1812.

Perla e Karaibeve

Mikah pati mundësi të shijonte pamje të tjera spektakolare të Puerto Ricos gjatë udhëtimit me avion për në St. Croix, më i madhi i tre Ishujve të Virgjër të Shteteve të Bashkuara, ndonëse më pak i populluari.

Mikah tha se ky vend kaq i bukur dhe jo i stërmbushur me turistë krijonte një ndjesi të veçantë. Ai dhe shoku i tij i udhëtimit, Andy Waldron, u ndjenë si vendas kur morën me qira një makinë dhe brodhën me të çdo pjesë të ishullit, ku zbuluan se banorët kanë një sjellje vërtet të qetë e të patrazuar.”

Menjëherë pas St. Croixit është Monumenti Kombëtar, Guma e Ishullit Bak, i njohur si vendi ku zogjtë dhe breshkat ngrenë foletë dhe për shtigjet nënujore.

https://www.nps.gov/buis/index.htm

Ishulli i vogël dhe i pabanuar u kthye në një park kombëtar nga Presidenti Xhon Kenedi, në vitin 1961. ““Presidenti kishte shkuar me familjen për pushime; u zhyt në ujërat e Ishullit Bak dhe iu duk kaq mahnitëse ajo që pa, sa vendosi ta shndërrojë zonën në monument kombëtar”, shpjegon Mikah.

Teksa uraganët dhe temperaturat në rritje të detit kanë dëmtuar dhe vazhdojnë të kërcënojnë koralet e brishta, shumë tufa peshqish, një numër i madh bimësh dhe kafshësh si pelikani kaf dhe hardhuca e tokës e St. Croix po shumohen në këto hapësira të mbrojtura.

Në kërkim të Nemos

Pavarësisht frikës nga uji dhe i frymëzuar nga ajo çka mund të gjente në detin e kaltër dhe të pastër, Mikah mësoi në vend si të zhytet. Ai ndoqi shenjat e “shtegut nënujor”, ku eksploroi ujërat e gjirit të vjetër, i cili lag dy të tretat e ishullit.

“Mjafton të zhytesh dhe do të të shfaqen koralet pa fund, përreth të cilave mund të shquash edhe peshqit me pamje mahnitëse”, thotë Mikah. “Është si versioni në jetën reale i filmit “Në kërkim të Nemos”, duke iu referuar filmit të animuar që në viti 2003 gëzonte shumë popullaritet.

Por ai shtoi se momenti më i bukur nga të gjithë ishte kur hasi në një tufë të madhe me peshq. “Besoj se ishin 300 peshq që më kaluan pranë,” thotë Mikah. “Praktikisht, unë po notoja me ta.”

“Për dikë si unë që është rritur në Nebraska, jo buzë oqeanit, ishte krejt e kundërta e asaj me të cilën isha mësuar dhe ishte kaq tërheqëse,” thotë Mikah. “Është pa dyshim monumenti im i preferuar kombëtar.”

Vendi i të krishterëve

Pas Ishullit Bak, Mikah u drejtua për nga qyteti turistik kombëtar i Christiansted, ku ndodhet një fortesë e vjetër daneze.

https://www.nps.gov/chri/index.htm

“Ngjyrat e tyre për objektet ushtarake ishin e verdha dhe e gjelbërta… një e verdhë e lavdishme dhe dyert e gjelbërta.”

Parku urban ka ndërtesa të shekullit të 18 dhe 19 në zemër të tij. Christiansted, që do të thotë Pallati i Christianit, mori emrin në nder të mbretit Christian VI i Danimarkës dhe Norvegjisë dhe u mendua t’i bënte rivalitet për nga madhësia Christianisë (Olsoja e sotshme) në Norvegji. Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare, ky vend është si asnjë vend tjetër në Karaibe, dëshmia e ndikimit arkitekturor, ekonomik dhe politik të Europës.

Jeta e egër e Karaibeve

Mikahs i bëri përshtypje larmia e jetës së egër në ishuj. “Kudo ku shkuam, edhe pse ishin fare pranë, të gjitha kishin atë që unë e quaj ‘kopshtin zoologjik” të tyrin,’” tha ai.

“Kështu, në pikën turistike të San Juanit ishte një iguanë gjigande e gjelbër,” thotë Mikah, “një ngjyrë që kurrë nuk do ta merrte mendja se është origjinale apo natyrale”. Atij i bënë përshtypje edhe gaforret heremtie. “Ishin ngado,” thotë Mikah. “Nëse ky vend nuk do të ishte zhvilluar, do kishte qenë i mbuluar nga gaforret heremite... kudo ku hidhja hapin, kisha frikë se mos shkelja ndonjë prej tyre,” shtoi ai duke qeshur.

Dhe në St. Croix kishte nuselale. “Europianët i sollën ato që të zhduknin minjtë,” tha Mikah, “por mesa duket ato nuk i kishin dhe aq qejf minjtë dhe përfunduan duke u ushqyer me specie të tjera në ishull, të cilat i çuan drejt zhdukjes”.

Mikah tha se vizita në Karaibe ishte një përvojë që e ndryshoi atë. “Ishte një nder për mua të shikoja këto vende... Ndihem me fat, sepse kjo ishte diçka që një fëmijë nga preritë e Nebraskës nuk e kishte menduar se mund ta bënte ndonjëherë. E megjithatë, e gjeta veten në vendin tim duke admiruar peizazhe sa të huaja për mua, aq edhe pjesë e historisë sime dhe të vendit tim. Mrekulli që shpresoj të rezistojnë edhe për një kohë shumë të gjatë, nëse vazhdojmë t’i mbrojmë.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG