Lidhje

Dy shpërthime në Pakistan lënë 15 të vrarë


Dy shpërthime me bombë që ndodhën njëra pas tjetrës goditën sot Pakistanin veriperëndimor, duke vrarë të paktën 15 persona dhe plagosur më shumë se 70 të tjerë.

Shpërthimet ndodhën në një treg plot me njerëz në qytetin Kurram pranë kufirit afgan.

Ligjvënësi i zonës, Sajid Turi, tha për median lokale se shpërthimi i parë me një intensitet më të ulët ndodhi gjatë orëve të pikut të pasdites, përpara se një shpërthim i dytë i fuqishëm të godiste sërisht. Sipas tij numri i të vdekurve pritet të rritet. Burime spitalore bënë të ditur se më shumë se 30 persona të plagosur ndodhen në "gjendje kritike".

Në zonën ku ndodhën shpërthimet vdekjeprurëse popullsia është kryesisht muslimane shiite. Për të evakuuar të plagosurit u përdorën dy helikopterë të ushtrisë.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Shpërthimet ndodhën disa orë pasi një autobombë e telekomanduar shpërtheu në qytetin jugperëndimor të Quettas, duke vrarë të paktën 13 persona dhe plagosur 20 të tjerë.

Në qëndër të sulmit duhet të ishin drejtues të lartë të policisë dhe të paktën 7 prej tyre humbën jetën.

Një fraksion i talebanëve pakistanezë, Jamaatul Ahrar, mori përgjegjësinë për këtë sulmin në Quetta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG