Lidhje

Pakistani thotë se ka rrëzuar dy avionë të Indisë në Kashmir


Pakistani tha se forcat ajrore të tij rrëzuan të mërkurën dy avionë të Indisë që fluturuan mbi kufijtë e tij në territorin e diskutueshëm të Kashmirit.

Gjeneral majori pakistanez, Asif Ghafoor, tha se një nga pilotët është kapur pasi avioni i tij u rrëzua në Kashmir, ndërsa avioni tjetër u rrëzua në anën indiane.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha se forcat ajrore të vendit të tij kapën dy pilotë indian pas rrëzimit të avionëve.

India tha se një avion i saj MiG21 “ka humbur: gjatë një operacioni në zonën indiane të Kashmirit dhe një pilot është zhdukur.

Autoritetet në Indi thanë se avionët e tyre u dolën përballë tre avionëve të Pakistanit që kishin shkelur hapësirën ajrore të saj dhe i kishin detyruar të kthehen prapa.

Njoftimet për incidentet ajrore u bënë pak orë pasi që Pakistani tha se të paktën katër veta u vranë në një sulm me mortaja nga trupat e Indisë përgjatë zonës së militarizuar.

Tensionet u rritën midis dy vendeve fqinje që kanë armë bërthamore pasi që 40 pjesëtarë të forcave indiane u vranë në një sulm vetëvrasës në zonën indiane të Kashmirit me 14 shkurt. Grupi militant me bazë në Pakistan, Jaish-e-Mohammad, mori përgjegjësinë për sulmin.

Avionët e Indisë kryen sulme ajrore para agimit të së martës në Pakistan në një kamp stërvitjesh të grupit Jaish-e-Mohammad.

Grupet militante po luftojnë për pavarësinë e Kashmirit ose për bashkimin e tij me Pakistanin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG