Lidhje

Palestinezët propozojnë konferencë ndërkombëtare për të rifilluar procesin e paqes


Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, në një pjesëmarrje të rrallë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare paqeje që të mbahet në mes të këtij viti, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin në procesin e paqes së Lindjes së Mesme. Bisedimet mes Izraelit dhe Palestinezëve kanë ngecur prej vitesh dhe tensionet në rritje kanë ngjallur frikë për një konflikt të ri.

Zoti Abbas paraqiti dje një propozim për të rifilluar procesin e paqes.

“Ne jemi të gatshëm të fillojmë negociatat menjëherë në mënyrë që të realizoojmë lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë”.

Ai tha se ideja e tij është për një plan paqeje ku palët t’u shmangen veprimeve të njëanshme gjatë negociatave, Izraeli të ndërpresë ndërtimin e vendbanimeve dhe Shtetet e Bashkuara ta pezullojnë vendimin për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, u përçoi një mesazh palestinezëve se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë drejt një zgjidhjeje për konfliktin palestinezo-izraelit.

"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me udhëheqjen palestineze. Negociatorët janë këtu me mua, gati për të biseduar, por ne nuk do t’ju ndjekim nga pas. Zgjidhja zoti Abbas, është në dorën tuaj”.

Ambasadorja Haley tha gjithashtu se palestinezët nuk kanë në dorë të miratojnë zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, sepse vendimi është përfundimtar.

Presidenti palestinez u largua nga salla, para se zonja Haley të merrte fjalën.

Duke u nisur nga ky veprim, i dërguari Izraelit, Danny Dannon e kritikoi zotin Abbas se “u largua” dhe duke thënë se ai “nuk është më pjesë e zgjidhjes” por pjesë e problemit.

"Zoti Abbas erdhi, paraqiti kërkesat e tij dhe u largua, duke pritur që rezultatet të vijnë nga ju. Nuk do të funksionojë kështu. E vetmja mënyrë për të ecur përpara është që të ketë negociata të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve”.

Uashingtoni ka thënë se ka një plan të vetin për paqen por deri tani nuk ka dhënë detaje për të.

Ndërkohë tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve janë shtuar, duke shtuar frikën se mund të ketë një konflikt të ri.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres paralajmëroi se konsensusi global për një zgjidhje me dy shtete mund të jetë duke u tkurrur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG