Lidhje

Qeveria e kryeministrit grek Papandreu përballet me votëbesimin në parlament


Qeveria e kryeministrit grek Papandreu përballet me votëbesimin në parlament
Qeveria e kryeministrit grek Papandreu përballet me votëbesimin në parlament

Votëbesimi i sotëm është vendimtar për kryeministrin Jorgo Papandreu, megjithëse nuk ka ndonjë ndikim serioz tek vendi, shprehet analisti politik Kostas Panagopulos.

"Nëse Papandreu merr votëbesimin, ai do të jetë më i dobët se kurrë, por së paku do të qëndrojë në pushtet. Nëse nuk e merr votëbesimin, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, sa më parë, aq më mirë”.

Analisti shpreh dyshim për suksesin e një qeverie të mundshme koalicioni, duke shtuar se dy udhëheqësit, Papandreu dhe kreu i partisë konservatore të opozitës, Andonis Samaras, kanë pikëpamje krejt të ndryshme për një qeveri uniteti.

"Ka dallime të mëdha mes asaj që ka propozuar zoti Samaras. Ai flet për një qeveri tranzicioni, me një jetëgjatësi prej 5-6 javësh për të përgatitur marrëveshjen për kredinë dhe për ta hedhur atë në votë. Zoti Samaras kërkon një teknokrat në krye të qeverisë, ndërsa Papandreu dëshiron një politikan si vetja e tij, pra zor se mund të gjendet një e mesme nga këto dy pikëpamje”.

Dje, zoti Samars kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, duke thënë se ai ka vënë në rrezik pozitën financiare të Greqisë në tregun ndërkombëtar, me thirrjen për referendum:

Do të doja të dija, për ç’arsye zoti Papandreu iu kanos me shkatërrim Greqisë, Evropës, euros, bursave ndërkombëtare dhe partisë së tij? Çfarë donte të arrinte? Të më bënte shantazh mua dhe popullatës? Apo të garantonte se unë do t’u përmbahesha fjalëve që thashë disa ditë më parë, se e pranoj si të pashmangshme marrëveshjen për ndihma?”

Shanset e partisë së kryeministrit për t’i mbijetuar votës së sotme nuk janë të mira. PASOK-u ka një epërsi prej dy vendesh në parlament dhe të paktën një deputete socialiste ka kërcënuar se do të votojë kundër qeverisë.

Grekët i kanë kundërshtuar me forcë politikat që sollën shkurtime shpenzimesh, rritje taksash dhe humbje të vendeve të punës. Pritej që paketa e re e ndihmave të gjente kundërshtim në masë, nëse hidhej në votë në një referendum. Një reagim i tillë nga grekët do të kishte kërcënuar me thellim krize edhe vende të tjera të eurozonës si Italia dhe Spanja. Dje kryeministri Papandreu premtoi ta anulonte referendumin, nëse konservatorët mbështesnin planin e Bashkimit Evropian në parlament. Fitorja e madhe e zhvillimeve të djeshme, thonë analistët, ishte angazhimi që shprehu zoti Samaras për marrëveshjen e re ofruar Greqisë.

Ndryshe nga optimizmi i analistëve, në rrugët e Athinës reagimet janë të përziera. Ja si shprehet ky banor:

"Akte absurde nga një qeveri absurde. Marrëzira. Anulohet referendumi, që s’duhet të kishte qenë fare në plane. Duhet të ishin organizuar menjëherë zgjedhje dhe të kalohej çështja në dorë të popullit”.

Por ka të tjerë që mendojnë se në këto momente, Greqisë i duhet të përpiqet të ruajë qetësinë sa më shumë që të jetë e mundur:

"E shoh si diçka pozitive që Papandreu e anuloi referendumin dhe qëndroi në postin e kryeministrit. Situata është shumë e vështirë dhe dikush duhet të jetë në krye. Tani, skenari më i mirë do të ishte nëse dy partitë, qeveria dhe opozita gjejnë gjuhën e marrëveshjes në këtë moment krize”.

Kriza për të cilën bëhet fjalë, ka qenë një barrë e rëndë për grekët. Prej 20 muajsh popullata ka ndjerë peshën e masave të ashpra për shkurtim shpenzimesh dhe rritje taksash. Anketat tregojnë një revoltim në masë nga këto masa. Sipas këtyre anketave, 90 për qind e grekëve janë kundër politikave të Papandreut dhe partia e tij ka mbështetjen e vetëm 20 për qind të publikut. Sot kryeministri do të vihet para provës së madhe se ku qëndron mbështetja që ai gëzon brenda vetë partisë së tij me votëbesimin e pritshëm në parlament.

XS
SM
MD
LG