Lidhje

Parashikime për trafik të rënduar gjatë Lojërave Olimpike të Londrës


Rrjeti i transportit në Londër është i ngarkuar pothuaj gjatë gjithë kohës. Tani pritet t’i shtohen edhe rreth 11 milion njerëz që do të shkojnë në Londër për të ndjekur Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të këtij viti të cilat zgjasin 7 javë. Kompania britanike INRIX bën monitorimin e trafikut dhe ofron informacione në lidhje me gjendjen e trafikut përmes radios, televizionit dhe formave tjera.

Raporti i kompanisë britanike për trafikun jep hollësi mbi ndikimin që Lojrat Olimpike do të kenë në rrjetin e transportit në Londër.

INRIX thekson se ceremonia e hapjes së Lojërave Olimplike në datat 27-29 korrik do të jetë problematike. Kështu thotë Andrea Day e kësaj kompanie.

“Ka shumë gjëra që ndodhin pikërisht në fillim të Lojrave Olimpike, të cilat mund të krijojnë probleme në trafik. Ceremonia e hapjes dhe shumë aktivitete tjera do të organizohen gjatë fundjavës së parë të Lojërave dhe një numër i madh rrugësh do të mbyllen për shkak të garave me biçikletë”.

Këtu në Thames Ditton, pothuajse 32 kilometra nga qendra e Londrës, rruga duket e qetë dhe me pak makina.

Por në fundjavën e parë të lojrave këtu nuk do të ketë makina sepse rruga do të mbyllet për të lejuar organizimin e garave me biçikletë, duke bërë që trafiku të jetë i rënduar në rrugët përreth.

Situata do të përkeqësohet nga mbyllja e rrugëve për trafikun e përgjithshëm në korridorin e rrugëve të që do t’u mundësojë atletëve dhe zyrtarëve të arrijnë në kohë në ngjarjet sportive të ditës.

Bëhet fjalë për 175 kilometra rrugë të Londrës që do të jenë të kufizuara për trafikun e përgjithshëm.

Rrugët e veçanta për atletët dhe zyrtarët janë krijuar edhe në Lojërat Olimpike të organizuara në Sidney, Athinë dhe Pekin.

Andrea Day thotë se korsitë e dedikuara për atletët dhe zyrtarët që do të jenë pjesë e Lojërave Olimpike, do të ndihmojnë disa njerëz për të lëvizur nëpër kryeqytet, por mund të pengojnë të tjerët.

“Korsitë shtesë për lojërat olimpike do të ngarkojnë trafikun në vend dhe do të shkaktojnë shumë pengesa. Rrugët në të cilat do të krijohen korsi shtesë për lojërat do të bëjnë që koha e udhëtimit për shumë njerëz të jetë më e gjatë se zakonisht”.

Është parashikuar që rreth tre milionë udhëtime tjera t’i shtohen rrugëve të tanishme në kulmin e dy javëve të Lojërave Olimpike, duke ngritur shqetësime mbi mundësinë e përballimit të kësaj situate nga rrjeti i transportit të Londrës.

Edhe pse korsitë olimpike do ta bëjnë më të përshtatshëm lëvizjen e trajnerëve dhe sportistëve, ekziston frika se ato mund shkaktojnë vonesa të mëdha për banorët e zakonshëm të cilët do të përpiqen të bëjnë punët e tyre të përditshme.

Zonja Day thotë se ata kanë analizuar informacionet që kanë për ngjarjet e mëdha të organizuara në të kaluarën për të dalë me disa parashikime për Lojërat Olimpike.

“Në bazë të të dhënave që kemi analizuar, ne mund të përcaktojmë shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve në rrugë të caktuara. Kjo na jep një ide mbi vëllimin e trafikut në këto rrugë. Pra, ne kemi marrë parasysh se aty ku janë vënë korsitë olimpike do të zvogëlohet hapësira e rrugore”.

Banorët e Londrës do të njoftohen për zhvillimet që ndodhin në rrugë gjatë Lojërava Olimpike përmes radios dhe stacioneve televizive.

Shumica e njoftimeve do të dërgohen nga kjo studio në zyrën kryesore të kompanisë INRIX në Londër.

Duke marrë parasysh se kryeqyteti britanik është organizator i shumë ngjarjeve të mëdha sportive dhe argëtuese çdo vit, planifikimi për trafikun dhe rrugët nuk është gjë e re.

Megjithatë, thotë Andrea Day, në krahasim me organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit dhe koncerteve të mëdha, organizimi i Lojërave Olimpike është më i vështirë nga pikëpamja logjistike.

“Ne mendojmë se kjo do të jetë sfida më e madhe për rrjetin e transportit në Londër. Ne kemi monitoruar gjendjen e trafikut që nga viti 1995 në kohën kur janë zhvilluar ngjarje të mëdha, pra ne kemi shumë përvojë me ngjarje individuale, si Maratona e Londrës”.

Sigurisht, në qoftë se trafiku është tepër i rënduar, atëherë mund të jetë më mirë të ecësh në këmbë ose të udhëtosh me biçikletë.

Gjithë bota do t’i hedhë sytë drejt këtij stadiumi gjatë dy javëvë të kësaj vere duke filluar nga 27 korriku.

Por, ndërkohë që kamerat televizive do të fokusohen në ngjarjet brenda Stadiumit Olimpik, banorët e Londrës do të përpiqen të kryejnë punët e tyre të përditshme dhe do të përpiqen të shkojnë në punë dhe të kthehen nga puna me sa më pak telashe.
Mbetet të shihet nëse përgatitjet dhe planet e emergjencës do të jenë të mjaftueshme, por është e sigurt se rrugët e Londrës do të jenë më të rënduara se tani gjatë periudhës së zhvillimit të Lojërave Olimpike.

XS
SM
MD
LG