Lidhje

Sulmi në Paris dhe konflikti ideologjik


Sulmi i së mërkurës ndaj revistës satirike franceze Charlie Hebdo nuk ishte i vetmi incident i goditjes së medias evropiane nga ekstremistë islamikë. Korrespondenti Al Pessin njofton nga Londra se incidente të tilla janë dëshmi e përplasjes së vlerave themelore mes ideologjive.

Ndërkohë që mijëra vetë në Francë dhe mbarë botën kujtojnë të vrarët në incidentin e së mërkurës, ata janë angazhuar edhe në akte të ndryshme të ushtrimit të lirisë së fjalës.

Disa kishin pankarta me fjalët “Dashuria është më e fortë se urrejtja”, të tjerë me fjalët “Liria e shtypit është e paçmueshme”.

Por jo çdokush e përqafon këtë ide. Ky ishte sulmi i dytë ndaj kësaj reviste satirike. Karikaturat Profetit Muhamet në një revistë daneze shkaktuan protesta në një numër vendesh dhe në disa raste edhe incidente me dhunë në vitin 2005. Një kineast holandez u vra në vitin 2004 pasi realizoi një dokumentar për mënyrën si trajtohen gratë myslimane.

Ekspertët thonë se dhuna është një ndër mënyrat e shfaqjes së konfliktit që ekziston mes vlerave të botëkuptimit perëndimor për lirinë e shtypit dhe pikëpamjeve tradicionale islamike për të respektuar autoritetin dhe në veçanti figurat fetare si dhe mospërdorimin e imazhit të njeriut në art.

Carool Kersten është pedagog mbi islamin në universitetin King’s College në Londër:

“Kur këto bindje gjejnë interpretim ekstrem, si me karikaturat provokuese në revistën satirike, është si një justifikim nga Zoti për radikalët që të hidhen në veprim”.

Por ai shton se pikëpamjet e ekstremistëve nuk pasqyrojnë mendimin e pjesës më të madhe të myslimanëve:

“Mund ta shohësh edhe sot në median sociale ku shumë myslimanë shprehen se ndjehen të ofenduar nga çdo satirë që lidhet me Profetin Muhamet, por se nuk do të mbështesnin kurrë vrasjen e autorëve të këtyre imazheve”.

Zyrtarë dhe udhëheqës fetarë në shumë vende myslimane, përfshirë Libinë e dënuan sulmin në Paris. Karikaturistët e vrarë të revistës Charlie Hebdo dhe kolegët e tyre ndiqnin një formë satire djegëse, pa rezerva. Ata vunë në Twitter një karikaturë të udhëheqësit të ISIS pak para sulmit:

“Unë besoj se kjo satirë është pjesë e gazetarisë. Karikatura bën pjesë në traditën gazetareske që prej qindra vjetësh”.

Gavin Evans është gazetar dhe pedagog në Shkollën e Londrës për Gazetarinë. Ai foli përmes Skype-it.

“Ata që besojnë se duhet të jenë të paprekshëm nga satira, e meritojnë të satirizohen. Mendoj se ky është thelbi i karikaturës”.

Zoti Evans nënvizon se revista Charlie Hebdo satirizonte edhe besime të tjera fetare, biles edhe Papën. Ai shqetësohet se ky sulm mund të bëjë gazetarët të rezervuar:

“Një redaktor që ka në staf një karikaturist që mund të satirizojë elementë të fesë islame ka gjasa të tregohet më i kujdesshëm për të mos shkaktuar një reagim të tillë”.

Disa redaktorë vendosën të mos i botonin karikaturat e revistës Charlie Hebdo për islamin. Por për momentin, e përditshmja The Independent në Londër nuk duket se është tërhequr duke botuar në faqe të parë një karikaturë me një diçiturë drejtuar terroristë me fjalë që nuk janë të përshtatshme për transmetim.

XS
SM
MD
LG