Lidhje

Miratohet një draft-marrëveshje për klimën


Zyrtarë nga 195 vende pjesëmarrëse në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Paris, kanë miratuar draftin e një marrëveshjeje.

Dokumenti i aprovuar pas gati katër vjet negociatash synon të ofrojë opsione për reduktimin e ndotjes nga gazrat që ndikojnë klimën.

Kritikët thonë se shumë çështje të pazgjidhura mbeten ende për t’u shqyrtuar përpara se konferenca të mbyllet ditën e premte, si p.sh. çështja se kush do të japë fondet për direktivat e reja.

Përfaqësues të 134 vendeve në zhvillim kundërshtuan disa përpjekje të vendeve të industrializuara për të vendosur kushte për fondet.

Propozimi gjithashtu sugjeron që fondet për klimën nuk duhet të jepen vetëm nga vendet e zhvilluara, por edhe nga vendet në zhvillim që do ta kenë këtë mundësi.

I dërguari i SHBA-së për ndryshimet klimatike, Todd Stern, thotë se dokumenti tashmë “pranon faktin se disa vende në zhvillim kanë avancuar dhe kanë filluar edhe të kontribuojnë, dhe se duhen inkurajuar në këtë drejtim”.

Ndërkohë, një delegacion i përbërë nga 10 senatorë amerikanë u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, dhe me ish-Zëvendëspresidentin amerikan Al Gore, për të ofruar mbështetjen e tyre për negociatat.

Gjatë një konference për shtyp sot në Paris, senatorët shprehën optimizmin se një marrëveshje detyruese mund të arrihet në Paris.

XS
SM
MD
LG