Lidhje

Parlamenti, Jo kërkesës së Vetvendosjes


Kosova pas ngjarjeve ne Kumanove
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

Në Kosovë, parlamenti nuk miratoi një kërkesë të lëvizjes Vetëvendosje për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngjarjet e fundjavës në Kumanovë. Mungesa e informacioneve për ngjarjen u tha se e bën të pamundur një gjë të tillë. Njohës të çështjeve të sigurisë thonë ndërkaq se ngjarjet në Kumanovë ndikojnë edhe në Kosovë dhe se mungesa e bashkëpunimit për çështjet e sigurisë mes Kosovës dhe Maqedonisë vështirëson parandalimin e konflikteve të tilla.

Kosova pas ngjarjeve ne Kumanove
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

Parlamenti i Kosovës refuzoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngjarjet e fundjavës në Kumanovë, që lanë pas vetes 22 të vrarë. Kundër këtij propozimi votuan partitë politike në pushtet të cilat thanë se nuk janë kundër debatit, por sipas tyre, mungesa e informacioneve për ngjarjen në Kumanovë e bënë të pamundur debatin.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se partitë në pushtet e kanë kthyer parlamentin e Kosovës në një institucion të pandjeshëm ndaj interesave të kombëtare të shqiptarëve.

Kjo mund të vërtetohet me veprimin e tyre të sotshëm. Këta e kanë kthyer Parlamentin në një institucion i cili është indiferent ndaj asaj se çka u ndodhë shqiptarëve në qytetet e rëndësishme të shqiptarëve siç është Kumanova, Shkupi apo qytetet tjera të rëndësishme të shqiptarëve. Ne nuk guxojmë ta kthejmë Parlamentin e Kosovës në një institucion indiferent me atë çka ndodhë me shqiptarët vetëm disa dhjetëra kilometra larg vendit tonë”, tha zoti Konjufca.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre më zhvillimet në Kumanovë duke dënuar “çfarëdo përfshirjeje të shtetasve të Kosovës në incidentet në Maqedoni”.

Autoritetet maqedonase thanë se një numër i konsiderueshëm i personave të përfshirë në grupin e armatosur me të cilin janë zhvilluar përleshjet në Kumanovë janë nga Kosova.

Drejtori i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se zhvillimet në Kumanovë ndikojnë edhe në rajon për shkak të pozitës së saj gjeografike, që ndodhet ndërmjet tri vendeve dhe përbërjes së saj etnike të përzier.

“Koha kur kjo ka ndodhur është në vigjilje të ngjarjeve të ndryshme lidhur me proceset integruese sidomos në raport me Kosovën por edhe Maqedoninë. Mendoj që qarqet që kanë pasur për synim destabilizimin e Maqedonisë kanë zgjedhur një lokacion të caktuar e të favorshëm për ta dhe një kohë të favorshme në funksion të destabilizimit të Maqedonisë por edhe Kosovës. Kur them Kosovës, e them bazuar në faktin që individë nga Kosova janë të përfshirë dhe që kemi të bëjmë me një distancë të afërt fizike nga kufiri, bënë që situata ka pasur dhe vazhdon të ketë potencial që të destabilizohet”, tha zoti Qehaja.

Zoti Qehaja thotë se ngjarja në Kumanovë ishte edhe pasojë e mos bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Maqedonisë në çështjet e sigurisë.

“Nuk ka një bashkëpunim të denjë ndërmjet dy shteteve në mënyrë që të parandalohen incidentet e këtij formati që ishte, aq më parë ku Maqedonia e përfshiu haptas Kosovën dhe qytetarët e saj në këtë ngjarje. Mendoj se rastet e tilla nuk mund trajtohen, parandalohen dhe luftohen veç nga ana e një shteti sidomos kur kemi të bëjmë me përfshirje të disa individëve nga shteti jonë këtë rast”, tha ai.

Autoritetet në Prishtinë thonë se janë duke bashkëpunuar me autoritetet në Maqedoni për të identifikuar personat nga Kosova të cilët janë përfshirë në përleshjet e fundjavës në Kumanovë, ndërsa kanë mohuar që të ketë pasur çfarëdo përpjekje të organizuar nga Kosova.

XS
SM
MD
LG