Presidenti amerikan Barak Obama thotë se qeveria ishte e “detyruar” t’ia bënte të qartë klerikut amerikan që planifikonte të digjte kopje të Kuranit se veprimet e tij do të rrezikonin trupat amerikane.
Presidenti Obama that sot në një konferencë shtypi se nuk beson që qeveria ka “shtuar rëndësinë e ngjarjes” duke kontaktuar të përndershmin Teri Xhons. Ai tha se zyrtarët duhej të dërgonin mesazh të qartë se sjellje të tilla do të rrezikonin ushtarët amerikanë dhe do të përdoreshin si vegël rekrutimi për al-Kaidën.
Zoti Obama tha se ishte e nevojshme që çështja të merrej me seriozitet sepse do t’i shkaktonte Shteteve të Bashkuara, siç u shpreh ai, “dëme të rënda në mbarë botën”. Presidenti përmendi si shembull trazirat në Kabul.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, e telefonoi klerikun Xhons dhe i kërkoi që të mos vazhdonte me planet për të djegur Kuranin. Agjentë nga Byroja Federale e Hetimeve gjithashtu folën me klerikun në kishën e tij 50-anëtarëshe në Florida.
Zoti Xhons tani thotë se nuk planifikon më ta djegë Kuranin, përderisa i mundësohet që të takohet me imamin që po drejton planet për hapjen e një qendre islame në Nju Jork, afër vendit ku dikur ndodhej Qendra Botërore e Tregtisë.