Lidhje

Manafort pranon fajësinë, do të bashkëpunojë me prokurorinë


Paul Manafort, ish-menaxheri i fushatës elektorale të Presidentit Trump, pranoi dje fajësinë për akuzën për konspiracion gjatë aktivitetit të tij të lobimit për Ukrainën. Sipas marrëveshjes së arritur me prokurorinë, zoti Manafort do të bashkëpunojë me hetimet e drejtuara nga prokurori i posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Ishte një tjetër ditë llogaridhënieje për ish-menaxherin e fushatës Trump, Paul Manafort.

Ai u vetëdeklarua fajtor për akuzat e konspiracionit gjatë aktivitetit të tij në të kaluarën për Ukrainën.

Avokati i tij, Kevin Downing, foli për gazetarët.

“Është një ditë e vështirë për zotin Manafort, por ai ka pranuar përgjegjësinë, ndërsa kërkon të sigurohet se familja e tij do të ketë një jetë të sigurtë. Ai ka marrë përgjegjësinë për veprime të shumë viteve më parë; mos ta harrojmë këtë gjë”, informoi zoti Downing.

Në kuadrin e marrëveshjes së arritur me prokurorinë, zoti Manafort pranoi të bashkëpunojë me hetimet për Rusinë të drejtuara nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, megjithëse nuk është e qartë se çfarë informacionesh do të japë.

Muajin e kaluar, zoti Manafort u gjet fajtor për mashtrime financiare dhe me taksat nga një gjykatë në Virxhinia, por në atë kohë nuk shfaqi ndonjë interes për të bashkëpunuar me prokurorët. Pranimi tashmë i fajësisë mund të shmangë një proces të dytë gjyqësor që do të zhvillohej javën e ardhshme.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, bëri një deklaratë, ku vihet në dukje se telashet ligjore të zotit Manafort nuk kanë të bëjnë aspak me Presidentin Trump.

Këto janë zhvillimet më të fundit në procesin hetimor për Rusinë, proces i cili ul shpresat e Presidentit Trump dhe të republikanëve për të ruajtur maxhorancën në Kongres, pas zgjedhjeve të mesmandatit që zhvillohen muajin tjetër.

“Mungesa e parashikimeve për zgjatjen e procesit hetimor dhe se çfarë ai do të sjellë, përbën një shqetësim të konsiderueshëm për partinë republikane”, thotë John Hudak, i Institutit Brookings.

Anketimet tregojnë se demokratët në përgjithësi i mbështesin hetimet ndaj Rusisë, ndërsa republikanët janë më skeptikë.

“Efekti i hetimeve të prokurorit Mueller do të varet nga çfarë do të dalë në fund. Këtë nuk e dimë. Nuk dimë ç’do të sjellë, nëse do të gjendet i përfshirë Presidenti Trump dhe çfarë konkluzionesh do të japë Prokurori Mueller”, thotë Frank Newport, i firmës së anketimeve “Gallup”.

Presidenti Trump i ka sulmuar shpesh hetimet ndaj Rusisë, duke i quajtur “gjueti shtrigash”, dhe ka vënë në dukje se zoti Manafort punoi për të vetëm gjatë një periudhe të shkurtër të fushatës elektorale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG