Lidhje

Pavarësisht nga paralajmërimet e OKB-së, rifillojnë përleshjet në Siri


Grupet siriane të opozitës kanë njoftuar se sot ka pasur akte të reja të dhunës në disa zona të Sirisë, më pak se një javë para hyrjes në fuqi të një armëpushimi të mbështetur nga OKB-ja.

Organizata “Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut” i tha Zërit të Amerikës se trupat qeveritare luftuan me forcat rebele në periferi të Damaskut.

Aktivistët thanë se tre pjesëtarë të ushtrisë u vranë. Përleshjet shpërthyen edhe në rajonin qendror të Homsit, pasi grupet e armatosura të qeverisë hapën zjarr mbi një grup grash, duke vrarë dy dhe plagosur katër prej tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, thotë se konflikti në Siri po thellohet dhe sulmet e forcave qeveritare ndaj zonve civile nuk po tregojnë shenja pushimi, megjithë deklaratat e Damaskut se ka filluar tërheqjen e trupave para afatit të vënë nga Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund dhunës.

Zoti Ban Ki Mun tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dje se populli sirian ka qënë “viktimë e abuzimeve të tmershme”. Ai tha se qytetet e mëdha e të vogla, si dhe fshatrat janë kthyer në zona lufte. Ai i bëri thirrje Presidentit të Sirisë Bashar al-Asad “të tregojë aftësi udhëheqësi dhe vizion” dhe t’i përmbahet premtimit për t’i dhënë fund dhunës deri më 12 prill.

Në një fjalim me video në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dje, i dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe, Kofi Anan, tha se qeveria e Sirisë kishte pranuar planin e tij prej gjashtë pikash që u arrit muajin e kaluar dhe i bëri thirrje Damaskut të zbatojë dispozitat e tij. Ai pranoi gjithashtu se përparimi për t’i dhënë fund dhunës si rezultat i goditjes qeveritare kundër disidencës është i ngadaltë.

Por ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Xhafari tha se kërcënimi ndaj zbatimit të planit të paqes të zotit Anan nuk vjen nga qeveria e tij, pro nga vende si Arabia Saudire, Katari dhe Turqia, të cilat ai i akuzoi se armatosin kryengritësit.

Xhafari tha se Damasku kërkon garanci me shkrim nga zoti Anan se fuqitë rajonale nuk do të ndërhynë në punët e brendëshme të Sirisë dhe as nuk do të përpiqen të mbushin ndonjë vakum politik pas 12 prillit.

Më 25 mars Presidenti sirian Bashar al-Assad ra dakord për zbatimin e një plani të OKB-së për paqen, por i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Kofi Anan, tha në një fjalim në Gjenevë se qeveria siriane ka bërë pak përparim në ndalimin e operacioneve shtypëse kundër disidentëve.

“Ne duhet t’i ndalojmë operacionet me tanke, helikopterë, mortaja dhe të gjitha format e tjera të dhunës përfshirë abuzimet seksuale, torturat, ekzekutimet, rrëmbimet me forcë, shkatërrimin e shtëpive, zhvendosjen e popullatës me forcë dhe dhunën kundër fëmijëve”.

Zoti Annan gjithashtu konfirmoi se një ekip i vogël teknik i OKB-së dje ka shkuar në Damask për të filluar përgatitjet për një mision të mundshëm për monitorimin e një armëpushi.

Sipas OKB-së më shumë se 9,000 njerëz janë vrarë në Siri që nga fillimi i kryengritjes kundër zotit Asad, 13 muaj më parë.

XS
SM
MD
LG