Lidhje

PDK heq dorë nga rishqyrtimi i mocionit për kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë


Në Kosovë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike në pushtet, ka hequr dorë nga rishqyrtimi i një mocioni të miratuar në Parlament, për kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi që ky debat në Parlament të mbyllet, pasi kjo është në dëm të personave të zhdukur. Ata thanë se ndriçimi i fatit të personave të zhdukur është një detyrim shtetëror dhe kushtetues i të gjitha institucioneve të Kosovës.

Javën e kaluar, Parlamenti miratoi këtë mocion, i cili pasoi interpelancën e shefes së delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë Edita Tahiri, lidhur me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur që është shtruar edhe në bisedimet Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por pas votimeve u tha se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kishin paqartësi rreth tekstit të votuar dhe për këtë kërkuan rishqyrtimin e tij. Kjo kërkesë bëri që Parlamenti i Kosovës të ndërpriste punimet javën e kaluar, pasi opozita braktisi seancën në shenjë mospajtimi për rishqyrtimin. Ndërkohë, edhe sot, Shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës ishin mbledhur para dyerve të Parlamentit, duke i bërë thirrje deputetëve që të mos e shfuqizojë mocionin e miratuar.

Kosova doli nga lufta me rreth 6 mijë të zhdukur dhe 13 vjet më pas mbetet i paqartë fati i 1 mijë e 781 vetave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë.

XS
SM
MD
LG