Lidhje

Nënpresidenti Pence mbron ndalimin e udhëtimit


Nënpresidenti Mike Pence mbrojti kritikat e Presidentit Donald Trump ndaj një gjykatësi federal që bllokoi urdhrin ekzekutiv që ndalonte udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Në një intervistë në emisionin NBC, zoti Pence tha se Presidenti Trump u shpreh npë një mënyrë “të veçantë” që amerikanët e pëlqejnë dhe e kuptojnë se ç’është në mendjen e tij.

“Veprimi i gjykatësit në këtë rast për të marrë një vendim për politikën e jashtme amerikane dhe sigurinë kombëtare, e ka indinjuar presidentin”, tha zoti Pence.

Pasi gjykatësi federal bllokoi përkëhësisht urdhrin ekzekutiv të zotit Trump, presidenti paralajmëroi se vendimi do të bënte të mundur hyrjen e “shumë personave të këqij dhe të rrezikshëm në vendin tonë”.

"Në ç’pikë ka arritur vendi ynë kur një gjykatës mund të pezullojë një ndalim udhëtimi të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, dhe gjithkush edhe me synime të këqija mund të hyjë Shtetet e Bashkuara?”, tha Presidenti në Twitter.

Ai e quajti qesharak vendimin e gjykatësit James Robart, një jurist 69-vjeçar në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit i njohur për pikëpamjet e tij konservatore ligjore, i emëruar nga ish-presidenti George W. Bush.

Por një gjykatë e apelit e Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë kërkesën e administratës së presidentit Trump që të rivendoset menjëherë në fuqi urdhri ekzekutiv i cili ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të vizitorëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Gjykata e Qarkut të 9-të e Apelit në San Francisko i kërkoi administratës dhe shtetit të Uashingtonit të dielën në mëngjes të paraqesin më shumë argumente deri të hënën pasdite.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e bëri apelin vonë të shtunën në përgjigje të vendimit të një gjykatësi federal i cili bllokoi urdhrin ekzekutiv.

Apeli i Departamentit të Drejtësisë tha se urdhri i gjyqtarit “gjykon vlerësimet e presidentit për sigurinë kombëtare” dhe dëmton publikun sepse “pengon zbatimin” e urdhrit ekzekutiv.

Në përgjigje të vendimit të së premtes, Agjencia federale amerikane për Mbrojtjen e Kufirit vendosi të lejojë udhëtarët me viza të vlefshme që të hyjnë në vend.

Departamenti amerikan i Shtetit më pas konfirmoi rregullin e fundit në lidhje me vizat dhe premtoi se do të japë informacion të mëtejshëm sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga mesi i mëngjesit të djeshëm, disa kompani ajrore të mëdha, duke përfshirë Air France, British Airways dhe Emirates filluan të lejojnë pasagjerët nga shtatë vendet e ndaluara me urdhër ekzekutiv që t’i hipin avionëve të destinuar për në Shtetet e Bashkuara.

Për shkak të pasigurisë rreth mundësisë se mund të shfuqizohet vendimi për bllokimin e urdhrit ekzekutiv ditët e ardhshme, ata që mundin të udhëtojnë menjëherë shpejtuan për të siguruar vendin në fluturimet e ardhshme.

Urdhri ekzekutiv i presidentit Trump ka shkaktuar kaos brenda agjencive qeveritare dhe gjykatat, dhe ka shkaktuar protesta në qytete të shumta amerikane por edhe jashtë vendit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG