Lidhje

Penian: Lamtumira e fundit udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il


Penian: Lamtumira e fundit udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il
Penian: Lamtumira e fundit udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il

Në Penian iu dha lamtumira e fundit udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il me pjesmarrjen e dhjetëra mijëra njerëzve. Pamjet në televizionin koreanoverior u dominuan nga rrugët me borë dhe nga njerëzit që qanin. Mediat e huaja nuk u lejuan të merrnin pjesë.

Një makinë e zezë me portretin e madh të Kim Jong Il-it udhëhiqte procesionin nën qiellin gri dhe dëborën që binte. Pas saj vinte një tjetër makinë e mbuluar me flamur, ku ndodhej arkivoli i zotit Kim mbi një shtrat të bardhë me lule.

Mijra njerëz me pamje të pikëlluar ishin rreshtuar në dëborë anës rrugëve të Penianit për të ndjekur funeralin. Që nga vdekja e Kim Jong Il-it nga një atak në zemër më 17 dhjetor, televizioni shtetëror koreanoverior nuk ka reshtur së transmetuari skena të përsëritura të pikëllimit publik.

``Bora bie pa fund si lot. Si mund të mos qajë qielli kur ne kemi humbur gjeneralin tonë i cili ishte njeriu i madh i ardhur nga qielli?'' thotë një ushtar i paidentifikuar i ushtrisë koreanoveriore.

I biri i zotit Kim, njëkohësisht pasardhësi i tij, Kim Jong Un, ecte krahas makinës me trupin e të atit ndërkohë që procesioni largohej nga sheshi i madh i Pallatit Përkujtimor Kumsusan.

Ryoo Kihl-jae, dekan i shkollës pasuniversitare Kyungnam në Korenë e Jugut, thotë se zyrtarët e zgjedhur për shoqërimin e procesionit krahas Kim Jong Un-it janë një sinjal se si do të bëhet kalimi i pushtetit.

"Gjashtë prej tyre ishin këshilltarët kryesorë të Kim Jong-Ilit. Mendoj se qëllimi është të dërgohet mesazhi se nuk kemi të bëjmë vetëm me kalimin e pushtetit nga i ati tek i biri por edhe një kalim nga një regjim te tjetri."

Ceremonia e sotme ishte e ngjashme me funeralin e të atit të Kim Jong Il-it, themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung në vitin 1994.

Vdekja e Kim Kim Jong Il-it lë në krye të vendit bërthamor një djalë të ri afër të 30-tave. Ekspertët thonë se gjatë muajve të parë në pushtet Kim Jong-un do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e ushtrisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër të shikojë mundësinë e reformave ekonomike për të cilat ky vend i varfër ka aq shumë nevojë.

XS
SM
MD
LG