Lidhje

Përgjimet, SHBA-BE: hetimet pa trysni politike


Maqedoni, ambasada amerikane dhe ajo e delegacionit të BE-së, kërkojnë që Këshilli i Prokurorëve të përmbushë urgjentisht detyrat e të miratojë ekipin e prokurores së posacme Katica Janeva

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup përshëndesin përparimin e arritur deri më tash mbi zbatimin e ligjit për hetimin e komunikimeve të përgjuara nga Prokurori publik, që paraqet një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes politike.

Por, në komunkatën e përbashkët të Ambasadës amerikane dhe zyrës së Bashkimit Evropian, nënvizohet nevoja urgjente për përmbushjen e detyrës nga ana e Këshillit të Prokurorëve publik, në mënyrë që në bazë të ligjit të mundësohet hetimi i përgjimeve të bisedave telefonike si dhe të bëhet emërimi i ekipit të prokurores së posaçme Katica Janeva, me qëllim që zyra e saj, siç thuhet më tej në komunikatë, të plotësojë detyrat në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë formë të trysnisë politike.

Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara theksojnë gatishmërinë për të ndihmuar, sipas nevojës, duke siguruar trajnim dhe mbështetje teknike për zyrën e Prokurorit publik mbi hetimin e komunikimeve të përgjuara.

Prokurorja e posaçme Janeva duhet që brenda pak javësh të fillojë me punë, ndërkohë që media e afërt me qeverinë ka hedhur kritika të shumta ndaj kërkesave të saj lidhur me buxhetin prej disa milionë eurosh për të vepruar në mënyrë sa më të efektshme.

Skandali i përgjimeve detyroi partitë politike në Maqedoni që të arrijnë një marrëveshje me ndërmjetësimin e komisionerit evropian Johannes Hahn që t’i jepet fund krizës politike, e cila kishte përfshirë vendin për muaj të tëra dhe që të krijohet hapsirë për reforma.

Nga ana tjetër, katër partitë kryesore po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për ndryshime në rregullat e zgjedhjeve. Mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me mundësinë ose jo të votimit të diasporës. Komuniteti ndërkombëtar duket se sugjeron që diaspora të mos votojë për shkak të dyshimeve mbi parregullsitë gjatë zgjedhjeve të fundit. Tre partitë, Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare kundërshtojnë zgjedhjen e ligjvënësve nga diaspora (Evropa, Amerika dhe Australia) për shkak të shpenzimeve të mëdha që bëhen, ndërsa një numër i vogël votuesish del në zgjedhje, kurse VMRO-DPMNE-ja është e vetmja e cila dëshiron që të ketë deputetë edhe nga diaspora. Aktualisht, janë tre ligjvënës prej andej dhe që të tre në radhët e VMRO-së.

XS
SM
MD
LG